Transmetuar më 11-07-2019, 19:51

Ka shkuar në katër numri i zyrtarëve të pezulluar që nxorrën informacione sekrete lidhur me zbulimin e arsenalit të armëve në aksin Elbasan-Papër.

Krahas inspektorit të Krimeve të Rënda Eduard Hasani, dhe specialistit Edi Gjyli, janë pezulluar po ashtu shefi i Krimeve në Cërrik Albjon Xhitozi dhe shefi i Komisariatit të këtij qyteti, Bilal Semanaj.

Dy zyrtarët thohet se kanë nxjerrë në media fotot e armëve të sekuestruara nga RENEA në një aksion në Elbasan, në 1 korrik.

Hetimet vijojnë ende për zbulimin e grupit kriminal që dyshohet se i posedon dhe mund t’i ketë përdorur në një sërë ngjarjesh kriminale.

Mësohet se armët u gjetën një ditë pas atentatit të bërë ndaj vëllezërve Baho, ku 25-vjeçari Klevi Baho mbeti i vrarë, ndërsa vëllai i tij Sandër Baho 30 vjeç, u plagos rëndë.

Armët u dërguan për ekzaminim në laboratorin kriminalistik, ndërkohë që dyshohet se janë përdorur në krime të ndryshme.

Bëhet fjalë për armë të sofistikuara të cilat përdoren nga NATO. Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim Ilir Bekon, i cili rezulton pronari i një karburanti, në afërsi të së cilës policia gjeti një magazinë me arsenalin e armëve. /k.k/noa.al/ Pezullohen inspektori i krimeve dhe specialisti, nxorën informacion për arsenalin e armëve në Elbasan