Komisioni për Metën, Manja: 3 muaj hetim të plotë. Fino: Asnjë ankimin në Kushtetuese
Transmetuar më 11-07-2019, 14:29

Komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ka zhvilluar sot mbledhjen e parë ku ka zgjedhur si sekretar të Komisionit, socialisten Klodilta Bushka. Ndërkohë që sot janë caktuar dhe dy relatorët që do përgatisin raportin për shkarkimin e Metës.Relator nga PS do të jetë Alket Hyseni, ndërkohë që nga opozita e re, do jetë deputeti Halil Valteri.

Në mbledhjen e parë, kreu i komisionit, Ulsi Manja, deklaroi se për një periudhë 3-mujore do të bëhet një hetim i plotë mbi vendimin e Metës, i cili më pas do t’i dorëzohet Kuvendit për veprime të mëtejshme.

“Qëllimi i ngritjes së tij është i njohur, unë po shfrytëzoj rastin dhe po lexoj vendimin e kuvendit të Shqipërisë: Ky komision hetimor ka për qëllim të hetojë njohjen dhe ushtrimin e kompetencave nga ana e presidentit të Republikës lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete. Ky komision ka për detyrë të verifikojë procedurat e ndjekura nga presidenti i Republikës, të verifikojë pasoja e këtyre akteve në raport me institucionet e tjera.

Në optikën e kolegëve deputetë që kanë kërkuar shkarkimin e tij konstatohet se sjellja e tij në lidhje me procedurat e ndjekura, presidenti ka shkelur rëndë kushtetutën dhe kjo sipas tyre përbën shkak ligjor për pezullimin nga detyra. Ky komision referuar saktësisht vendimit 84, për një periudhë 3 mujore do bëjë një hetim të plotë për t’i paraqitur Kuvendit një raport përfundimtar. Ky është edhe deklarimi i komisionit hetimor i përcaktuar në vendimin dhe komisioni është i detyruar t’i rrijë strikt”, tha Manja.

Ndërsa socialisti Bashkim Fino përdori një argument të “çuditshëm” për faktin se askush nuk është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese. Por Fino në fjalën e tij nuk përmendi faktin se Kushtetuesja është jashtë funksionit, për shkak se vetëm një gjyqtar arriti të kalojë procesin e vetingut.

“Sot është ezauruar afati 30 ditor për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, po të donin të gjithë të interesuarit ta shpienin, lidhur me çdekretimin e datës së zgjedhjeve. Kjo do të thotë që qoftë PD dhe LSI, kanë gënjyer të vetët, kanë gënjyer shqiptarët, kur thoshin se: Dekretet e Presidentit do të shqyrtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

Asnjëri nuk iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, prandaj ky komision hetimor e nis punën me këmbë të mbarë dhe pa asnjë procedurë ankimi, lidhur me arsyetimin juridik dhe interpretimin e bërë deri më sot për interpretimin e datës 10 qershor të bërë deri më sot si nga KQZ, Kuvendi dhe Kolegji Zgjedhor. Jam i bindur se nuk do të ketë ankimim as për dekretin e përcaktuar të datës 13 tetor. Prandaj unë do ju uroja suksese këtij komisioni”, tha Fino./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...