Transmetuar më 11-07-2019, 13:49

Gjyqtarët padisin qeverinë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar rikthimin e pasaportave diplomatike.

Në padi thuhet se heqja e pasaportave diplomatike është cenim i statusit të gjyqtarit.

Në deklaratën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve nënvizohet se, “Sot, me datë 11.07.2019, dorëzuam në Gjykatën Administrative të Apelit padinë kundër Këshillit të Ministrave, me objekt shfuqizimin e Vendimit nr. 389/2019, për pjesën që anulon pasaportat e shërbimit të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të Apelit dhe për pjesën që heq të drejtën e tyre të pajisen me pasaporta shërbimi”.

Më tej në padi sillet në vëmendje një pjesë nga Vendimi nr. 40/2014 të Gjykatës Kushtetuese mbi interpretimin e nenit 138 të Kushtetutës:

“Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Formulimi i togfjalëshit “përfitime të tjera është i një natyre të përgjithshme dhe nuk konkretizon në mënyrë shteruese rrethin e përfitimeve të gjyqtarëve.

Kushtetutbërësi, jo pa qëllim e ka lënë të hapur kuptimin që i duhet dhënë rrethit të përfitimeve, pasi ka synuar të përfshijë në tërësinë e të drejtave që gjyqtarët i gëzojnë në funksion të ushtrimit të detyrës së tyre”.

Në objektin e padisë së Shoqatës së Gjyqtarëve thuhet se: “Është konstatuar cenimi i statusit të gjyqtarit nëpërmjet heqjes së pasaportës së shërbimit me VKM nr.389 datë 12.06.2019, “për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatikë dhe asaj të shërbimit” si një e drejtë e fituar që “nuk mund të ulet”, në kundërshtim me nenin 22 të Ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë”./a.y/noa.al