Transmetuar më 10-07-2019, 14:38

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shtetet e Bashkuara, Kim Darroch, dha dorëheqjen, pak ditë pasi disa dokumente të tij diplomatike, në të cilat kritikohej presidenti amerikan, Donald Trump, kanë rrjedhur në publik.

Trump e quajti Darrochin “budalla” dhe “të krisur”, pas publikimit të dokumenteve të klasifikuara të ambasadorit, në të cilat ai e cilëson administratën e presidentit amerikan si “të paaftë”.

Darroch tha të mërkurën se mandati i tij do të përfundonte në fund të këtij viti, porse ai beson se “në rrethanat e tanishme, është e drejtë të lejohet emërimi i një ambasadori të ri”.

Darroch tha se “u është mirënjohës të gjithë atyre në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara, që i kanë ofruar mbështetje gjatë këtyre pak ditëve të vështira”.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se i vjen keq që Darroch e ka ndjerë nevojën për të dhënë dorëheqje.

Në dokumentet që kanë rrjedhur në publik dhe që datojnë nga viti 2017 e deri më sot, Darroch thotë se administrata e SHBA-së është “diplomatikisht e ngathët dhe e paaftë” dhe se nuk do të mund të bëhet “shumë më normale”.