Transmetuar më 10-07-2019, 12:48

“Maratona e Këngës Popullore” është spektakli veror që mbledh këngëtarët e njohur të muzikës popullore për të performuar në qytetet e Shqipërisë.

Vitin e kaluar ishte Nevina Shtylla ajo që na shoqëroi në maratonën e verës, ndërsa sivjet një tjetër prezantuese simpatike është rikthyer në këtë spektakël. Anjeza Maja do të prezantojë edicionin e këtij viti të “Maratonës së Këngës”.

Kjo nuk është hera e parë që do ta shohim Anjezën si prezantuese të spektaklit të verës, pasi e ka drejtuar për disa vite, para se të angazhohej me emisionin e mëngjesit “Në shtëpinë tonë”, në ekranin e Top Channel.

Pas disa edicionesh shkëputje, Anjeza rikthehet sërish dhe lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo, me anë të një fotoje të postuar në Instagram.

“Bashkë prapë te ‘Maratona e Këngës 2019’, nisim këtë të shtunë”, -ka shkruar Anjeza përkrah fotos. Maratona do të nisë në qytetin e Durrësit për të vijuar me shumë qytete të tjera të Shqipërisë.