Transmetuar më 10-07-2019, 10:16

Kryedemokrati Lulzim Basha ka një mesazh për të gjithë shqiptarët me anë të një videoje nga protesta e së hënës.

Ai thotë se shumica absolute e shqiptarëve të vendosur dhe mendjendarë në betejën për largimin e Edi Ramës dhe regjimit të tij, duhet ta dijë se Partia Demokratike, opozita e bashkuar e ka dëgjuar dhe do ti prijë aspiratës tuaj për ndryshim.

Sipas tij, ky ndryshim nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë çështje fjalësh, por veprash dhe garancish.

“Së bashku ne do ta kthejmë këtë mazhorancë absolute të refuzimit të regjimit, mazhorancën absolute “Rama ik”, në mazhorancën kombëtare të ndryshimit të madh për çdo shqiptar. Zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, ndryshimit që kërkojnë shqiptarët. Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e lira, do të hapë menjëherë negociatat me Bashkimin Europian, do ta fusë vendin në rrugën e përparimit dhe zhvillimit”, shkruan Basha.

Ai shton se rruga e përparimit, kërkon një ekonomi të lirë dhe konkurrencë të ndershme. Lufta kundër monopolove, lufta kundër klientelizmit, lufta kundër kapjes së ekonomisë, lufta kundër varfërisë do të jetë sfida jonë më e vështirë.

Për kreun e opozitës, Shqipëria ka aq shumë pasuri dhe mundësi natyrore, sa shqiptarët mund të jetojnë të gjithë në kamje dhe se ata duan vetëm lirinë, vetëm konkurrencën e ndershme, që të prodhojnë dhe krijojnë me mundin dhe aftësinë e tyre.

“Ne do t’i hapim tregjet. Do të garantojmë konkurrencën e lirë. Do të krijojmë një mjedis, ku të lulëzojë sipërmarrja private. Liria ekonomike do të sjellë punë. Liria ekonomike do të sjellë mirëqenie. Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”, thotë në mbyllje kryetari i Partisë Demokratike. /a.y/noa.al