Transmetuar më 10-07-2019, 07:52

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka deklaruar se nëse do të ishte në vend të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të shkonte në zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër.

Kryemadhi e argumentoi deklaratën e saj duke thënë se po të shkonin në zgjedhje, opozita do të kishte mbështetjen e 90% të qytetarëve shqiptarë.

“Të jem unë si Lulzim Basha unë shkoj në zgjedhje me Edi Ramën. Sot të shkosh në zgjedhje me Edi Ramën kemi 90% të shqiptarëve. Ja kam thënë dhe Basha e di shumë mirë këtë gjë, jo vetëm Basha por shumë të tjerë. Nuk kam asnjë kontradiktë (me Bashën), jemi të rakorduar. Jemi në negociata me ndërkombëtarët. Sot opozita është në udhëheqje të opinionit kombëtar dhe shqiptar.

Shqiptarët kanë dalë në rrugë për veten e tyre dhe nëse shqiptarët nuk shikojnë që kjo opozitë që ka marrë përsipër ti udhëheqë nuk është e qartë. Negociatat tona me ndërkombëtarët nuk janë për të zgjidhur krizën e momentit që edhe politikanët dhe ndërkombëtarët të shkojnë me pushime në gusht, nuk ka rëndësi se kush është në anën tjetër”, deklaroi Kryemadhi në ‘Tempora’.

Ajo shoi se negociohet për ti dhënë fund tranzicionit 30-vjeçar që e ka çuar vendin në vijën e fundit.