Transmetuar më 09-07-2019, 20:10

Një ditë pas protestës, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka falenderuar qytetarët për pjesëmarrjen, me një video të publikuar në Facebook.

Ka ardhur koha, shkruan Kryemadhi, kur vendit i duhet dhënë një shtet me institucione të forta dhe të garantohet fuqia e popullit mbi pushetin.

“Shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popullit, një sistem demokratik funksional që vjen nga zgjedhjet e lira e të ndershme, një Shqipëri ku të gjithë janë të barabartë para drejtësisë, me mundësi të barabarta për punësim, mirëqenie, shëndetësi, arsim dhe ku dinjiteti njerëzor nuk nëpërkëmbet.

Ky është momenti për t’i dhënë Shqipërisë një shtet me institucione të forta dhe sistem që nuk çimenton kontrollin e individit mbi shtetin por garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin”, shkruan Krymadhi.

Numri një i LSI-së vijon duke thënë se “pazaret në kurriz të shqiptarëve për karriket e politikës kanë marrë fund”.

Për të, rruga e nisur është me sfida por që Kryemadhi thotë se janë të gatshëm për t’i përballuar.

“Ne jemi së bashku në këtë betejë si qytetarë të barabartë që duan më shumë Shqipërinë se sa partinë. Rruga jonë është e mbushur me sfida dhe ne jemi të gatshëm t’i përballojmë.

Sepse për ne Shqipëria është e para, shqiptarët janë të parët. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, përfundon znj. Kryemadhi. /k.k/noa.al/