Transmetuar më 09-07-2019, 13:34

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani thotë se ideja e depolitizimit të komisioneve si pjesë e reformës zgjedhore është një atentat shumë i rëndë për demokracinë.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në “Facebook”, Manjani shkruan se komisione zgjedhore të depolitizuara, në Shqipëri do të thotë komisione të partisë në pushtet. Ai e sheh këtë si një hile të zezë të maxhorancës.

“Një hile e zezë që po vërtitet të na prezantohet si reformë zgjedhore është, depolitizimi i komisioneve. Dëgjova që edhe Kryeministri i pa punë këtë gjë ka thënë. Kjo do jetë padyshim vrasja e çdo lloj shprese për të mbajtur zgjedhje në vend. Nuk po them të lira e të ndershme, se as që bëhet fjalë. Por s’do ketë më zgjedhje fare!”, shkruan Manjani.

Më tej ai shton se nëse nëse heqim balancën politike ku palët ruajnë njëra-tjetrën në komisione dhe ti zëvendësojmë këto të fundit me demek jo politikë është utopi.

“Ku janë këto jopolitikë?! Në administratën monopartiake, apo në shoqërinë civile që këndon sipas donatorit?! A i patë votimet e 30 qershorit, ku s’kishte askush që t’i ndalonte në masakrën e mbushjes së kutive?! Ky është standardi i reformës se depolitizimit?!

Që ta mbledhim mendjen, ne këtu dhe ata që shkruajnë raporte teorie: komisione zgjedhore të depolitizuara, në Shqipëri do të thotë komisione të partisë në pushtet. Ky do të ishte një atentat shumë i rëndë dhe përfundimtar i demokracisë!”,përfundon Manjani./b.l/noa.al/