Transmetuar më 09-07-2019, 12:28

Valdrin Pjetri i cili u zgjodh kryetar bashkie në Shkodër nga zgjedhjet e 30 qershorit në një konferencë me gazetarët e qytetit u shpreh se pret një shtrëngim duarsh me Voltana Ademin, të zgjedhurën e PD-së në 2015-ën.

Ajo tashmë do t’i dorëzojë detyrën kryebashkiakut të ri të Shkodrës, më 13 gusht, por sipas tij edhe nësë ky gjest nuk ndodh, duke marrë parasysh kundërshtimin që i ka bërë Ademi procesit zgjedhor të 30 qershorit, kjo nuk do ta pengojë Pjetrin të nisë detyrën e tij, ndërsa thotë se ndihet i kënaqur me rezultatin e marrë në këto zgjedhje.

“Unë pres nga ana qytetare një shtrëngim dore nga zonja Ademi, gjithsesi kjo nuk na pengon të ecim para dhe të marrim bashkinë e Shkodrës. Unë kam marrë 10.2% të votuesve të Bashkisë Shkodër. Në demokraci nuk ka një dysheme për votat që duhet të marrë kandidati për të drejtuar bashkinë.

Jam fitues moral dhe jo vetëm, jam shumë i kënaqur. Nga 28 mijë që ka marrë kandidati në 2015-ën, kishte edhe koalicionin brenda, unë jam shumë komod me këto vota që kemi marrë", tha Pjetri, i zgjedhur nga Partia Socialiste.

Nëse në Gjykatën Kushtetuese shkon ankimim, dhe në momentin që ajo do të ngrihet nuk do t’i njohë zgjedhjet, Valdrin Pjetri thotë se është i gatshëm t’i nënshtrohet çdo vendimi, por deri atëherë ai premton se do të punojë për të ndryshuar Shkodrën.

“Mbi këtë projeksion do të organizoj edhe punën, nëse në tetor- nëntor do të kemi ndryshim edhe bashkia e Shkodrës do t’i nënshtrohet ndryshimeve dhe fakteve të reja që do të kemi. Unë kam dashur gjithmonë një kandidat përballë në garën elektorale të 30 qershorit, në mënyrë që "të luftonte projekti me projektin” shton ai.

Në fund ai shprehet se Ademi do të duhet të lirojë zyrën e Bashkisë së Shkodrës pas vendimit të gjykatës. “Nga ndërkombëtarët Ademi s’ka pse kërkon ndërhyrje. Ademi pas vendimit të gjykatës do të duhet ta lirojë zyrën. Asgjë nuk na pengon për të marrë zyrën e Bashkisë. Voltana Ademi duhet të lirojë zyrën e Bashkisë”, ka deklaruar Valdrin Pjetri./b.l/noa.al/