Transmetuar më 09-07-2019, 11:11

Dy persona janë arrestuar nga policia kufitare e Rinasit, të kapur me viza false. Nën akuzën e veprave penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, pasditen e kësaj të hëne u vunë në pranga dy shtetas turq, S.S., 39 vjeç dhe H.C., 41 vjeç, të cilët do të udhëtonin në Kanada.

Vizat e tyre janë dyshuar si të falsifikuara nga kontrollorët e Policisë Kufitare dhe janë kaluar në vijën e dytë për ekzaminim në laborator, ku kanë rezultuar viza false.

Po ashtu policia bën me dije se gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti nga Policia Kufitare e Rinasit janë proceduar dhe arrestuar 457 shtetas s shqiptarë dhe të huaj për vepra të ndryshme penale, konkretisht “Falsifikimi i dokumenteve”, “Kontrabanda” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave e sendeve me vlerë”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.

Gjithashtu po në vijim të masave për të parandaluar kalimin e kufirit me qëllim azil kërkimin nga Policia Kufitare e Rinasit janë refuzuar në dalje 1 157 shtetas, të cilët nuk plotësonin kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen.

Nuk është lejuar hyrja në territorin e Shqipërisë, për 60 shtetas me shtetësi të ndryshme.

Janë kapur nga Policia Kufitare në Rinas në tentativë për të dalë jashtë vendit apo për të hyrë në Shqipëri me dokumente të falsifikuara 73 persona në kërkim.

Gjithashtu janë sekuestruar vlera monetare të padeklaruara, në total 276.200 valutë në dollarë, euro etj.

Po gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 4 raste të viktimave të mundshme të trafikimit për qëllime të shfrytëzimit të prostitucionit, të cilat i janë kaluar menjëherë për ndjekje Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë. /a.y/noa.al