Transmetuar më 08-07-2019, 20:23

Presidenti Meta ka kërkuar nga protestesit që të ruajnë qetësinë dhe të mos prodhohet asnjë akt dhune në protestën e opozitës.

Që në fillim të reagimit të tij, Presidenti Meta përshëndet 85 përqind të qytetarëve që sipas tij refuzuan ato që kreu i shtetit i quan votime socialiste të 30 qershorit.

“Ndërsa drejtuesit e Opozitës së Bashkuar ju kanë ftuar sot në një protestë kombëtare kundër votimeve socialiste të 30 qershorit, dua të përshëndes mbi 85% të qytetarëve, të cilët bojkotuan një proces "fake", më të shëmtuarin që mund të ndodhte në kontinentin tonë të civilizuar, pas 3 dekadash që kur vendi ynë u nda nga regjimi më shtypës i të drejtave të njeriut që njohu e gjithë Europa ish-komuniste”.

Farsë të turpshme e quan Presidenti atë që ndodhi të dielën e 30 qershorit.

Ai njeh meritat e lidershipit të opozitë, që siç thotë Presidenti “ndihmoi shumicën dërmuese të shoqërisë tonë për të identifikuar armikun e betuar të dialogut në këto 6 vite në vendin tone”.

“Për këtë ka meritë dhe distancimi i prerë dhe i qartë i lidershipit tuaj, nga çdo akt dhune në dy javët e fundit që ndihmoi shumicën dërmuese të shoqërisë tonë për të identifikuar armikun e betuar të dialogut në këto 6 vite në vendin tonë, i cili ka mbijetuar vetëm përmes diversionit, përçarjes së opozitës, blerjes së zgjedhjeve përmes aktivizimit të "çunave problematikë" dhe lobingjeve të shfrenuara për t’i mbyllur sytë gjithë botës për të mos parë një maskaradë të gjithanshme, që kulmoi me të Dielën e Fitorjeve, plot tejkalime të shfrenuara”, vijon reagimi i kreut të shtetit.

Protesta paqësore, thotë Meta e kthen kauzën e opozitës edhe në kauzën “e shumicës së atyre që u detyruan të merrnin pjesë në farsën e 30 qershorit”.

Presidenti përfundon duke nënvizuar se “nga ky test shumë i rëndë ku u provokua demokracia jonë dhe bashkëjetesa qytetare, kjo kauzë i ka të gjitha mundësitë për të dalë shumë më e fortë vetëm përmes rezistencës qytetare dhe paqësore”.

Ndërkohë, nuk ka lënë pa ironizuar edhe atë që e quan organizatë spocialiste në KQZ.

“Ju lutem dhe për sa më pak zhurmë sot, në respekt të organizatës socialiste në KQZ, që po punon ditë e natë të përputhë rezultatet, me tejkalimet e shfrenuara që vazhdojnë çdo moment|, përfundon Presidenti Meta, për të cilin do të ngrihet një Komision Hetimor. /k.k/noa.al/