Transmetuar më 08-07-2019, 20:06

Ishin mbi 36 mijë maturantë, që sapo mbyllën provimet dhe kanë disa ditë që kanë nisur menjëherë edhe planet për në universitet.

Rreth provimeve, nga të dhënat, rezultoi se në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi asnjë maturant nuk ia doli dot të vlerësohet me notën maksimale, atë 10.

Por, me siguri që nga rezultatet e viteve të shkollës dhe provimeve të maturës, ato duhet të kenë nxjerrë edhe maturanten apo maturantin më të mirë në Shqipëri.

Gjithsesi, në këtë rast, ai mbetet anonim.

Ndërkohë, në mungesë të maturantes më të mirë, edhe pse rezultatet janë, mediat shpallën maturanten më të bukur të 2019-ës, ndonëse nuk pati konkurs në këtë fushë dhe as juri.

E shpallur si maturantja më e bukur për vitin 2019, Xhoi Fusha, pasi u lakua gjerësisht në media ajo ishte madje e ftuar ditë më parë edhe në studion e “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon, për të ndarë emocionet dhe eksperiencën e saj në mbrëmjen e maturës.

Bukuroshja 18 vjeçare ka qenë kryefjala e lajmeve në portale kohët e fundit, jo vetëm për “titullin” që rrëmbeu, por edhe për ngjashmërinë me super modelen me famë botërore, Bella Hadid.

Mirëpo, a mund të ketë ndonjë maturante tjetër që nuk ka bërë publike fotot në Instagram dhe mund të ketë ngjashmëri me modele apo aktore të tjera po aq të bukura?

A mund të jetë maturantja më e mirë, po ashtu edhe ajo e bukur? Cila prej të dyjave ka më shumë vlerë!

E nëse mediat, pa pasur nevojë për juri dhe konkurrencë, vlerësuan maturanten më të bukur, Ministrisë së Arsimit i mbetet të vlerësojë maturanten më të dalluar të vitit 2019, sepse ajo ka fituar një garë shumë të vështirë dhe nuk ka arsye pse të jetë anonime. /a.m/noa.al/