Transmetuar më 08-07-2019, 19:09

Kuvendi votoi sot pas seancës së pasaçme ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar që do të hetojë shkeljet e pretenduara të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Të pranishëm ishin 111 deputetë.

Votuan pro ngritjes së Komisionit 101 deputetë, pra edhe opozita Parlamentare.

Komisioni pas një raporti të detajuar do t’i kërkojë më pas Kuvendin shkarkimin e Presidentit Meta, ashtu siç pretendon maxhoranca qeverisëse.

Komisioni hetimor përbëhet nga PS: Ulsi Manja kryetar, anëtare: Vasilika Hysi, Klotilda Ferhati, Bashkim Fino, Alket Hyseni, anëtare zëvendësues: Adnor Shameti dhe  Spartak Braho

Nga grupi parlamentar demokrat: Alban Zeneli, zv.kryetar dhe Halit Valteri anëtar e  Arlind Çarcani, anëtar zëvendësues

Nga grupi parlamentar i partive të djathta:  Adriatik Alimadhi, anëtar dhe Zef Shtjefni, anëtar zëvendësues

Nga deputetët jashtë grupeve parlamentare:  Krenar Rryçi, anëtar.

Për shkarkimin e Presidentit nevojiten 94 vota, ndërsa kërkohet që fjalën e fundit ta thotë edhe Gjykata Kushtetuese, e cila aktualisht është jashtë funksionit.

Kryeministri Edi Rama foli sot gjerësisht në Kuvend, duke motivuar arsyen që e çuan moxhorancën në këtë vendim.

Ndërkohë Rama, në kanalin e tij televiziv “on line” , ERTV, ka veçuar sot edhe dy fjalime të tjera në Kuvend.

Lidhur me diskutimet për shkarkimin nga detyra të Ilir Metës si President i Republikës, Kryeministri veçoi fjalën e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila ndër të tjera nënvizoi:

“Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke shpikur një praktikë të padëgjuar në historinë botërore. Ilir Meta ka cenuar parimin e sovranitetit të popullit, ka shkelur Kushtetutën e ka marrë tagrin e sovranit, ka anuluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve, ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve, parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur, por edhe besueshmërinë e institucionit të kreut të shtetit.

Teksa diskutimet vazhduan për rreth dy orë derisa u votua ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar, për shkarkimin e Metës, Kryeministri veçoi edhe fjalën që mbajti deputeti Ulsi Manja, i cili do ta udhëheqë atë.

Ai veçoi nga fjala e Ulsi Manjës: “Me anulimin e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese. Dekreti i Presidentit, në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një republike parlamentare të funksionit të Presidentit.”

“Me aktin e tij Presidenti ka cenuar parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, si dhe parimin e të drejtës së qytetarëve për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur. Komisioni për Çështjet Ligjore Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vlerësoi se nga pikëpamja substanciale kërkesa e 55 deputetëve për fillimin e procedurës për shkarkimin e Presidentit përmban shkaqe për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar shkeljen e rëndë të Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës.” /a.m/noa.al/