Rama: Meta i çoroditur, hakërryes dhe qesharak, duhet hetuar dhe ndëshkuar
Transmetuar më 08-07-2019, 17:59

Kryeministri Edi Rama thekson nga seanca parlamentare se Presidenti Ilir Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar nga Parlamenti. Rama e konsideroi Metën armikun e hapur të Kushtetutës.

“Ilir Meta do të ishte politikisht për ne një kundërshtar që duhet ndaluar të gabojë më tutje. Ai është sot një aset i vyer i kësaj shumice qeverisëse. Për ne, dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishëm se sa çdo interes partiak. Ilir Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky Kuvend dhe reagimi ynë ndaj tij duhet të jetë frontal përtej dallimeve tona politike dhe në emër të Kushtetutës, demokracisë parlamentare”, u shpreh Rama.

Më tej ai shtoi se, “Graviteti i Kuvendit është një emërues që duhet të na bashkojë. Ilir Meta nuk është thjesht kundërshtari i qeverisë, ai është sot armiku i hapur i Kushtetutës së Shqipërisë. Ai është sot armiku i deklaruar i Parlamentit të Shqipërisë. Nuk është thjesht politikani i frikësuar deri në palcë i reformës në drejtësi, është sot vetë shëmbëlltyra e kundërshtarëve të reformës në drejtësi. Shqipëria në NATO, Shqipëria kandidate për BE, me një kryetar shteti që duket si aktor komik, që kur flet seriozisht të bën për të qeshur dhe kur flet për të qeshur të bën për të qarë”.

Sipas Ramës kjo është një armiqësi e ushqyer nga dëshpërimi prej disfatës së turpshme të planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve që synonte pengmarrjen e drejtësisë dhe pengimin e celjes së negociatave në BE.

“I kam ndjekur në një ndjenjë mëshirë budallallëqet e fallxhores Monikë dhe akrobacitë e artistit Lul, së bashku me mufkat e haxhiut Ilir. Që nga shfajësimet e hatashme për disfatën e tyre  deri tek fajësimet e dëshpëruara në adresën tonë lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje dhe me raportin paraprak të misionit të ODIHR”, tha ndër të tjera Rama./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...