Rama: Morëm më shumë vota se në 2015-ën, Meta ka frikë nga drejtësia
Transmetuar më 08-07-2019, 17:46

Kryeminsitri Rama komentoi votimet e 30 qershorit ku tha se mazhoranca mori më shumë vota sesa në 2015-ën.

I bindur se ka akoma një mazhorancë solide, Rama ironizoi opozitën kur tha se nga njëra anë thotë se shqiptarët kanë ikur nga vendi, dhe më pas i llogarisin si vota të humbura.

Ndërsa gjatë fjalimit u shpreh se opozita nuk fiton dot asnjë process elektoral.

“Ne kemi marrë një përqindje të lartë votash se sa kishte koalicioni fitues në vitin 2015. Kemi marrë një numër shumë më të madh votash për kandidatët. Krahasuar me katër vite më parë, ky numër është 4% më pak.

Ta lexosh si refuzim popullor ndaj nesh përqindjen krejt normale të pjesëmarrjes në këto zgjedhje të bombarduara me kërcënime, do të thotë të mos dish çfarë flet dhe të mos kuptosh se çfarë vjen më mbrapa. Qoftë rezultati ynë, qoftë analfabetizmi politik i udhëheqjes e tregoi se ajo opozitë nuk ka asnjë shans tek rikthimi tek fitorja”, tha Kryeministri.

Rama foli me gjuhë të ashpër për Presidenti Meta teksa u shpreh se është “shëmbëlltyra e të tremburve nga drejtësia”.

“Politikisht ai na e bën më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit. Njerëzia e shohin krejt lakuriq të vërtetën e armiqësisë së egër të Ilir Metës ndaj shumicës tonë qeverisëse.

Është një armiqësi e ushqyer nga dëshpërimi prej disfatës së turpshme të planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve që synonte pengmarrjen e drejtësisë dhe pengimin e çeljes së negociatave në BE”, tha Rama.

Në vijim të fjalës së tij, sërish duke iu referuar Ilir Metës, kreu i qeverisë tha se Presidenti ka tentuar disa herë të destabilizojë mazhorancën. /k.k/noa.al/

Loading...
Loading...