Transmetuar më 08-07-2019, 17:07

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, për zgjedhjet e 30 qershorit dhe protestën e opozitës u shpreh se PD-ja krijoi një ndjenjë frike dhe kjo gjë ndikoi edhe në pjesëmarrje.

“Ne garën e kemi fituar që në momentin që ata vendosën të mos futen në zgjedhje. Ne asnjëherë nuk kemi thënë fitore, por fituan procesin zgjedhor pasi ishte një ditë që udhët të mbaheshin zgjedhje. Ne nuk kemi folur për shifra.”

“Në pushtet lokal asnjëherë nuk marrim pjesë më shumë se 50%. Ne nuk themi që marrim 100% të votave, por marrim aq sa mund të qeverisim. Edhe lufta që bëri PD se do të ndodhin shumë gjera, u krijua një ndjesi e çuditshme dhe pati një frikë, nuk e dije se kë kishe përballë”, u shpreh Klosi, i ftuar sot në Ditarin, A2.

Ministri tha se PD-ja bëri zgjedhjen e gabuar me djegien e mandateve.

Por shtoi se për këtë gabim me kosto, që të rikuperojnë sadopak, duhet të presin zgjedhjet e vitit 2021. “Opozita ka të drejtën e saj të bëjë protesta. Mos kërkoni t’i edukojmë. Në një mënyrë apo në një tjetër, unë ndjehem mirë që ata kanë ikur nga Parlamenti”, theksoi ai.

“Ndjehem mirë për njerëz që kam debatuar, si Sali Berisha për shembull, nuk është më në Parlament. Kjo është beteja mes PD dhe PS në kaq vite. PD ka vendosur të kapitullojë”, u shpreh ndër të tjera Klosi.

Ndërkohë që sot opozita pritet të zhvillojë protestën e 10-të, Blendi Klosi tha se ata duhet të fillojnë e të punojnë që  të përgatisin strukturat, e më pas të marrin pjesë në zgjedhjet e 2021-it, për të pasur shpresë që të fitojnë, duke arsyetuar se pas kapitullimit nuk ka rrugë tjetër./a.m/noa.al/