Transmetuar më 08-07-2019, 14:38

Altina Xhoxhaj, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese e cila u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke mos kaluar dot procesin e vetingut, i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.

Kështu Xhoxhaj e ankimon vendimin e KPK, por edhe të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, në gjykatën më të lartë, duke e konsideruar shkarkimin e saj të padrejtë.

Sakaq Strasburgu ka drejtuar disa pyetje për shtetin shqiptar, të cilat i drejtohen Avokatit të Shtetit, si palë në proces.

Xhoxhaj u shkarkua nga detyra në 3 maj 2018, pasi nga verifikimet e kryera nga KPK rezultoi se zotëronte në vitin 2003 një pasuri familjare me vlerë 15.4 milionë lekë.

Ndërsa në vitin 2017, pasuria e saj ka kapur shifrën e 39.2 milionë lekëve ose 2.5 herë më e lartë.

Të ardhurat familjare të deklaruara nga gjyqtarja përgjatë viteve në detyrë vijnë nga disa burime. Pjesa kryesore e të ardhurave përbëhet nga paga si gjyqtare në 46.4% dhe paga e familjarëve në 36.9%.

Vendin e tretë në portofolin e të ardhurave e zënë dhuratat në kesh në 7.1%, të ndjekura nga të ardhurat nga qiratë në 4.6% dhe nga mësimdhënia në 2.5%.

Nga 14 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik për gjyqtaren Xhoxhaj, rezultuan me probleme me shumë të pajustifikuar në vlerën e rreth 1.7 milionë lekëve.

Një tjetër problem i identifikuar në këtë analizë është shuma e kursimeve familjare në kesh, që referuar deklarimeve vit pas viti kap vlerën e 13.5 milionë lekëve në fund të vitit 2017. /a.y/noa.al