Transmetuar më 08-07-2019, 13:41

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi sot procesin e dëgjesës ose intervistimit me kandidatët për Prokurorinë e Posaçme, e njohur ndryshe si SPAK.

Në përfundim të saj, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, zbuloi se pse ky proces u krye me dyer të mbyllura.

Ai tha se intervistat janë regjistruar në audio dhe video, pasi ndonjëri kandidat mund të ankimojë vendimin.

“KLP është e prirur të jetë e hapur. Ajo çka ndodhi sot, në intervista, ishte pjesë e një procesi administrativ, dedikuar shqyrtimit të kandidatëve. Sot konfirmuam gjetjet paraprake të komisionit. Kur të kemi gati relacionet për çdo kandidat, regjistrimet do bëhen në formë publike”, u shpreh Ibrahimi.

KLP mori sot në pyetje kandidatët Altin Dumani, që është drejtues në Prokurorinë e Apelit të Krimeve të Rënda, Anton Martini prokuror te Krimet e Rënda, Arben Kraja prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Anita Jella drejtuese e Prokurorisë së Durrësit, prej të cilëve vetëm prokurori Kraja ka kaluar vetingun.

I pyetur mbi rrezikun se kandidatët mund të ngecin në procesin e vetingut, Ibrahimi tha, “Rreziku ekziston, aftësia profesionale dhe integriteti shkojnë pranë-pranë. Ky proces synon profesionalizmin, ndërsa vetingu integritetin. Kam besimin që të dy proceset do të shkojnë drejt rezultateve të njëjta”. /a.y/noa.al