Transmetuar më 05-07-2019, 21:15

Çdo femër ka lindur për t’u bërë nënë. Historia që do t’iu tregojmë tani është e një 37-vjeçareje, nga Tirana, e cila në vitin 2017 mori lajmin e shumëpritur. E reja do të bëhej nënë.

“Kam lindur fëmijën në vitin 2018, shtatzaninë e ndoqa në një spital privat, për një kujdes shëndetësorë më të specializuar. Muajin e parë, të dytë dhe të tretë, e ndoqa tek ky spital, ku mu kërkua të bëja dhe disa analiza, për sindroma të ndryshme. Rezultati i analizave doli pozitiv”, ka thënë denoncuesja.

Pasi mori përgjigjen e analizave që fëmija gëzonte shëndet të mirë, nëna braktisi spitalin privat, duke shkuar në atë shtetëror. Në 26 mars, të vitit 2018, solli ne jetë Amelaian e vogël. Por në ditën më të rëndësishme të prindërve, të Amelias vjen një lajm jo mirë.

“Pas muajit të tretë deri tek i nënti u ndoqa tek spitali shtetëror Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, dhe në momentin që fëmija erdhi në jetë ishte me sindromën down”, ka shtuar denoncuesja.

E pyetur nëse ka kryer eko morfologjike për të parë malformimet fizike ajo shprehet se i ka bërë të gjitha dhe askush nuk i ka thënë që fëmija ishte me sindromën down.

Historia nuk përfundon këtu. Amelia kish ardhur në këtë botë për të mos qëndruar gjatë.

“Pati probleme gjatë 2-3 muajve deri sa ndërrojë jetë”, tha denoncuesja.

Zhgënjimi nga shërbimi mjekësor i spitalit privat dhe atij shtetëror, prindërit e Amelias i çoi përballë dyerve të Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë. Kësaj herë edhe drejtësia ishte kundra tyre.

“I jam drejtuar Prokurorisë dhe prokurorja që e ka marrë përsipër ka qenë Elsa Kareci dhe vendosi për mos fillimin e hetimit. Ndërkohë që nuk është konsultuar me një ekspert mjekoligjor për të diagnostifikuar sëmundjen e fëmijës”, ka vijuar denoncuesja.

Duke ankimuar vendimin e prokurores, Elsa Kareci, kësaj herë kjo dosje do të përfundonte në duart e e një tjetër prokurori.

Erjon Imeraj, mori të njëjtin vendim si kolegia e tij. Mos fillimin e procedimit penal, për mjekim të pakujdesshëm.

Pavarësisht kësaj, prindërit e Amelias nuk dorëzohen, ata besojnë në drejtësinë shqiptare, se një ditë do të marrin përgjigjen e pyetjes, se përse spitali privat dhe ai shtetëror, nuk treguan se fëmija e tyre ishte me sindromën down. /TCH/