Transmetuar më 05-07-2019, 00:46

Me 81 vota Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme plenare, shkarkimin pas dy mandatesh si anëtar i Autoritetit të Medias Audio-Vizive, Zylyftar Bregun, njëherazi pedagog në Fakultetin e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit.

Kuvendi votoi projektvendimin “Për lirimin nga detyra të anëtarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive,  Zylyftar Bregu”, ku u miratua me 81 vota pro, 1 kundër dhe 12 abstenim.

Ishte kreu i AMA, Gentian Sala (foto) i cili në nëntor të 2018-ës i ka kërkuar Kuvendit të shkarkojë Bregun.

Kërkesa e z.Sala erdhi me akuzën se Zylo Bregu ka vepruar në kundërshtim me ushtrimin e mandatit dhe në kundërshtim me ligjin organik të AMA-s, duke lidhur kontratë qiraje me 2 korrik 2015 me Ministrinë e Bujqësisë për 4.2 hektarë në fshatin Picar, Vorë, me një afat përdorimi 99 vjet.