Transmetuar më 01-07-2019, 23:35

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ka ngritur padi kundër ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Aleksandar Vulin, për shkak të, siç thuhet, gjuhës së tij të urrejtjes.

Mustafa tha për agjencinë serbe të lajmeve Beta se padinë e ka ngritur më 25 qershor në Gjykatën e Lartë në Beograd, pasi Vulin, disa herë, “i ka quajtur publikisht shqiptarët ‘shiptari’” dhe atë “me ton përbuzës”.

Ai tha se për Këshillin Kombëtar Shqiptar është e papranueshme që gjuha e urrejtjes, me të cilën ofendohet një pakicë dhe e cila vjen nga një ministër i Mbrojtjes, të konsiderohet si qasje individuale.

“Ky mentalitet flet për Qeverinë e sotme të Serbisë dhe për Serbinë zyrtare”, tha Mustafa, bën të ditur Evropa e Lirë.

“Respekti për minoritetet është edhe detyrim ligjor dhe kushtetues i Qeverisë dhe respektimi dhe pranimi i tjetrit është parakusht për një shoqëri demokratike”, tha Mustafa.

Gjuhë të ngjashme ndaj shqiptarëve kanë përdorur edhe zyrtarë të tjerë serbë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric, në një komunikatë zyrtare të lëshuar gjatë javës së dytë të muajit prill, i ka quajtur shqiptarët me termin ‘shiptari’.