Rriten abortet, 300 më tepër në krahasim me një vit më parë
Transmetuar më 28-06-2019, 23:41

300 aborte më shumë janë regjistruar në vitin 2018 krahasuar me 2017-ën. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se është rritur numri i tyre nga gratë me arsim të lartë, të cilat përbëjnë një të katërtën e rasteve të ndërprerjeve së shtatzënisë.

E ndërsa vit pas viti numri i bebeve që vijnë në jetë po bie me shpejtësi, në 2018-ën edhe numri i aborteve ka shënuar rritje. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT dhe që janë të mbledhura nga Instituti i Shëndetit Publik, numri i aborteve në 2018 ishte 5 mijë e 532 nga 5 mijë e 279 që kishte qenë një vit më parë.

Megjithatë mjekët gjinekologë thonë se shifrat jo gjithmonë tregojnë rritje, pasi zënë peshë edhe rastet me abortet e paregjistruara, shkruan tv Ora.

Diana Canaj, Mjeke gjinekologe: Unë mendoj që nuk ka rritje, mendoj që është në ato shifra. Duke bërë abortet medikal ato nuk regjistrohen. Vetëm ndërprerjet që bëhen me vegla regjistrohen, kështu që ne nuk kemi një regjistrim të saktë të aborteve.

Mjekja gjinekologe Diana Canaj thotë se përpara se gratë të vendosin për abort brenda periudhës 12 javore kanë një javë kohë për reflektim.

Diana Canaj, Mjeke gjinekologe: Nëse një paciente paraqitet për të kryer një abort, ne kemi një javë reflektimi. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që gjatë kësaj jave pacienti të reflektojë, të qetësohet për të marrë një vendim tjetër.

Të dhënat tregojnë se është rritur numri i aborteve nga gratë me arsim të lartë, të cilat përbëjnë një të katërtën e rasteve të ndërprerjeve së shtatzënisë.

Në vitin 2014, vetëm 15% e aborteve kryheshin nga gratë që ishin me arsim të lartë, ndërsa gati gjysma e tyre ishte nga gratë që kishin pak klasë shkollë.

Loading...
Loading...