Transmetuar më 26-06-2019, 23:40

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i është përgjigjur akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha, i cili këtë mbrëmje u shpreh se ministrja ka shkuar në Dibër për të blerë vota për zgjedhjet që maxhoranca do mbajë e vetme në 30 qershor.

Xhaçka la të kuptojë se do ta padisë Lulzim Bashën për shpifje, duke thënë se kryedemokrati duhet ta marrë vesh që fjalët dhe bëmat e tij kanë pasoja dhe kosto.

Ndërsa për ish-deputetin demokrat për qarkun e Dibrës, Xhemal Gjunkshi i cili e akuzoi Xhaçkën se shpërndau pistoleta për kriminelë, ministrja ka thënë se atë e njeh e gjithë bota për bëmat e tij.

“Që Lulzim Basha nuk i mendon e as i kupton pasojat e veprimeve që bën, këtë e mësuam të gjithë, ditën që dogji mandatet dhe e la PD rrugëve. Por, le ta mesojë që veprimet kanë kosto, shpifjet kanë një çmim, kur të shkojë përpara gjykatës për të sqaruar llumin që nxjerr nga goja. Dhe, sa për zëdhësin lokal të Lulit, gjeneralin e famshëm Gjunkshi, atë e njeh e gjithë Dibra se kush është, nuk ka nevojë të themi ne asnjë fjalë. Madje, e njeh e gjithë bota, se ia ka dalë të shfaqet dhe në Ëikileaks me bëmat e tij. Njerëzit që ka marrë në qafë e mallkojnë përditë. Asnjë minutë kohë për të humbur me personazhe si këta. E gjithë energjia vetëm me qytetarët dhe për qytetarët. 30 Qershori dita e Shqipërisë që duam për fëmijët tanë”, shkruan Xhaçka.