Transmetuar më 25-06-2019, 20:35

Kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi mitingun elektoral të paplanifikuar në Tropojë, për të sfiduar Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Rama pohoi se stafi i tij e kishte përjashtuar Tropojën nga fushata por ai kishte këmbëngulur. Duke lëshuar mori mesazhesh ndaj opozitës, Rama më së shumti sulmoi Metën teksa u përpoq të bindte dëgjuesit e fjalës së tij se vendi nuk ka krizë dhe se Parlamenti sipas tij është legjitim.

Romuze për Metën

"Nardi tani është një nivel më lart, sepse ia ka zënë vendin që kishte Ilir Meta. Sot, Ilir Meta e zuri vendin e Nard Ndokës, me fjalinë “shantazhin ndaj gjykatësve e pashë në fotografi”. Ku e more vesh, – i tha ai gazetari, – që u shantazhuan gjykatësit? E pashë në fotografi, – tha. Nard Ndoka, këtë nivel nuk e kishte kapur", ironizoi Rama.

Më tej ai përqendroi akuzat ndaj Presidentit: "Ilir Meta ka marrë përsipër pjesën e dhunës institucionale. Ka marrë përsipër molotovët institucionalë. Ka marrë përsipër t’i gjuajë me molotov dekretesh zgjedhjeve. Ka marrë përsipër t’i gjuajë me molotov fjalësh nga zyra Parlamentit, gjykatave, Amerikës, Europës.

E dëgjuat si tha? Unë s’kam anuluar zgjedhjet në Amerikë, tha, që të pyesim Amerikën, as zgjedhjet në Itali, që të pyesim Italinë. D.m.th, sa të kem Lulin dhe Monikën, nuk pyes për Italinë dhe për Amerikën. Haxhi Qamili, kur mori kot atëherë, i çuan fjalë ata i thanë, sikur po e tepron, kujdes se po preken interesat e Francës. Sa të kem Shijakun dhe Kavajën me vete, nuk pyes as për Francën, as për Anglinë unë, u tha.

Ç’ti bësh, është ky vend që e rrotullon e rrotullon dhe prapë e nxjerr ndonjëherë një haxhi qamil. Tani nuk është një, janë disa".

Sulm opozitës duke tërhequr paralele dhe me Metën

Në vijim Rama atakoi opozitën duke thënë për të disatën herë se liderët e saj kanë një hall shumë të madh: "Bërtasin nga frika dhe kanë një frikë shumë të madhe se mos hapen negociatat me Bashkimin Europian, pasi me hapjen e negociatave hapen dhe dy kapituj negociatash për drejtësinë. Atëherë, ata thonë se që të futesh në familjen tonë duhet të na provosh që drejtësia në vendin tënd funksionon njësoj për të gjithë, që nuk ka të gjatë që e shikojnë drejtësinë nga lart, nuk ka të shkurtër që i fshihen drejtësisë, nuk ka të fortë dhe të dobët, nuk ka me pushtet dhe pa pushtet, të gjithë janë njësoje dhe drejtësia duhet të provojë që presidentë, ish presidentë, kryeministër, ish kryeministër, ministra e ish ministra, zyrtarë e dreqi dhe i biri me radhë, që për 30 vjet kanë bërë hajgare me drejtësinë, nëse kanë probleme me drejtësinë, drejtësia i merr, i heton, i gjykon dhe i dënon. Këtë duhet të provosh që të hysh në BE.

Këtë ata nuk e duan dhe pikërisht se nuk e duan kanë gjithë këto muaj që bëjnë protesta. Ju dhe gjithë shqiptarët e dinë që ato nuk janë protesta të popullit. Ato janë protesta që një popull i krijuar me punonjës bashkie, me punonjës ujësjellësish, me pastrues e punonjës ndriçimi dhe me disa të rinj që janë komplet rrugëhumbur, që vendosin maska e marrin lekë, marrin molotovët në dorë për t’i rënë kryeministrisë dhe Parlamentit, bëjnë fotografitë, i shpërndajnë në gjithë botën dhe gjithë Europa shikon që Shqipëria po digjet, është ngritur populli, aty një kilometër është ajo punë. Është edhe me data si koncerte. Protestat e tyre ne mund t’i fusnim edhe si paketa turistike dhe t’u thoshim turistëve, keni edhe protesta po doni të shikoni, në filan orë, në filan ditë, vetëm mos u afroni shumë se aty brenda protestave ka edhe disa njerëz që kanë shumë benzinë në vend të gjakut dhe marrin flakë.

Përgjimet dhe rreziku për konflikt civil

Nga ana tjetër Rama u ndal dhe te përgjimet: "Përgjimet e 2016-s që dalin para protestave dhe nuk dalin këtu, por dalin në Gjermani, medemek i zbuloi Gjermania, se këta, 30 vjet kanë që merren me këtë punë, por një gjë nuk e mësuan akoma, që ky popull mund të ketë shumë akoma për të mësuar, por politikën këtij populli nuk ia mëson dot askush, është populli më politikan në botë. Po qe puna për politikë, shqiptarëve nuk ua hedh dot asnjë. Këta i marrin shqiptarët për budallenj dhe çoroditje e madhe, rrëmuje e madhe, do bëhet ’97-ta, do plasë gjaku, do vriten njerëz.

Po përse, për çfarë arsye do vriten njerëz? Çfarë ka ndodhur që të vriten njerëz? Është ngritur populli gjëkundi, i kanë humbur kursimet gjithë dynjasë për shkak të qeverisë? I është bërë zero gjaku e djersa i mundimeve në emigracione e në punë? Janë hapur depot e NATO-s për të armatosur dynjanë? Për çfarë do bëhen?

Kur e dëgjoj Ilir Metën, sidomos kur thotë dua të ndaloj vëllavrasjen, ndalo o vëlla fallxhoren që ke në shtëpi, se aty mbaron kjo punë. Është shumë e thjeshtë. Ndalo fallxhoren dhe thuaj deri më datë 30 nuk pihet më kafe turke dhe mbaroi, s’ka më asnjë problem. Edhe Lulin e ndalon ai baba i demokratëve këtu, i thotë Lul, në shtëpi deri më datën 30. Edhe ata të shkretët që kishin dalë sot atje nuk do kishin dalë sot, nëse Luli do të rrinte në shtëpi, fallxhorja do pinte vetëm ekspres ose çaj.

Për Ramën Parlamenti është në rregull

Shefi i qeverisë e thotë me siguri se Parlamentin e kemi dhe shton: "Është parlament ilegjitim, thotë Ilir Meta. Por pse more Ilir qenka ilegjitim Parlamenti? Se iku fallxhorja dhe erdhën ata që ishin në listën e LSI-së?! Ata erdhën pra, pse qenka ilegjitim. LSI-ja i solli, nuk i futëm ne nga policia, as nga ushtria, as nga rruga, ishin deputetë të LSI-së, iku fallxhorja bashkë me dajë Titin, erdhën dy të tjerë. Pse qenka ilegjitim? Pse është ilegjitim, se iku Ed Paloka me atë Lul Nokën dhe u bë ndonjë hall i madh se erdhën dy të tjerë? Po çfarë ndryshimi ka? Madje këta janë më të mirë ose se këta nuk e kanë mësuar akoma zakonin e vjetër, por të paktën me vezë në parlament nuk kanë ardhur. Opozitë që vinte në parlament sikur po shkonte në kampionatin e mundjes. Po ku shkon mor vëlla, kemi ardhur të bisedojmë, nuk kemi ardhur të kapemi. Deri kur erdhi kryetari i opozitës me xhup në parlament dhe me vezë dhe këta shkonin i fusnin dorën poshtë, tak nxirrte vezën ky dhe kështu i gjuanin.

Çfarë opozite është kjo?

Kështu që Parlamentin e kemi. Në gjithë Shqipërinë kemi pothuajse 75% të territorit që i drejtojmë ne, pothuajse të gjithë bashkitë kryesore i kemi ne, për çfarë na duhet kjo, po të ishte puna?"