Ministrja Balluku zbulon datën kur do të hapet By-passi i Fierit
Transmetuar më 24-06-2019, 15:20

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku jep lajmin e mirë se By-pass-i Fierit do të hapet më 27 qershor, duke lehtësuar kështu lëvizjen në një aks problematik gjatë verës siç është Fier-Vlorë.

E ftuar në News24 në rubrikën “Opinion” ajo foli dhe për akuzat e kundërshtimet e opozitës për rrugët dhe tha se nuk ka asnjë argument.

“Nuk kam parë asnjë argument të mirëfilltë. Opozita nuk thotë dot sa kushton një kilometër. Kilometri nuk është një kostum. Ka kompleksitete gjeologjike, e drejtimit nga shkon dhe kategorisë që i përket. Çdo punë e mirë e bërë nga qeveria Rama është hedhur baltë”, tha ajo.

Sa i përket rrugës Milot-Balldren, ministrja u shpreh se qeveria nuk bën investigime por sheh dokumentacionin.

“Qeveria ka një procedurë sa i përket koncesionit. Unë e kam sqaruar se cili është dokumentacioni që duhet për të marrë pjesë në një garë koncesionare. Nuk ka ndryshuar që nga koha e zotit Basha. Ministria e qeveria nuk bëjnë investigime por janë dokumente zyrtare që vijnë nga bankat”, deklaroi Balluku.

Ajo tregoi më tej se një ditë më parë ka bërë inspektimin e fundit në By-pass-in e Fierit.

“Në by-passin e Fierit është punuar në 6 muajt e fundit me ritme të jashtëzakonshme pas financimit. Ishte kthyer në makthin e gjithë shqiptarëve. Dje kam bërë inspektimin e fundit, kam inspektuar të premten. Mbrëmë në darkë dhe 700 metra ishin mbyllur dhe kishin ngelur 200 metër. Në mbrëmjen e datës 27 do lëvizen të gjithë betonët që bllokojnë autostradën dhe by-passi do jetë i aksesueshëm. By-pass-i i Tepelenës ka një kompleksitet tjetër. Ndoshta do jetë një nga rrugët më të bukura, pasi po bëjmë një konsolë. Po ecet me ritme të shpejta. Besojmë që deri në dimër do ketë përfunduar traseja”, tha ministrja.

Sa i përket Rrugës së Arbrit, Balluku tha se është një rrugë me kompleksitet brenda së cilës ka 6 tunele e disa ura.

Duke u rikthyer në kryeqytet, ministrja e Infrastrukturës foli edhe për Unazën e Madhe. “Di që loti i dytë ka rezultuar i pastër dhe kompania është gati të nisë nga puna. Pra nga mbikalimi i Unazës së Re deri tek rrethrrotullimi i Shqiponjës, pa e përfshirë këtë të fundit”, tha ajo.

Lidhur me hekurudhën Tiranë-Durrës, ministrja Balluku tha se janë kualifikuar 8 kompani.

“Projekti ka kaluar fazën e parë, pra që nuk ka më objeksione nga financuesi që është BERZH. Janë kualifikuar 8 kompani dhe ka nisur procesi i supervizionit. Të gjitha projektet e financuara janë projekte që japin siguri në zhvillimin e tyre por kanë një rrugë burokratike të gjatë. Ne jemi të detyruar të ndjekim të gjitha proceset e vendosura nga BERZH”, deklaroi Balluku.

Loading...
loading...
Loading...