Transmetuar më 24-06-2019, 08:35

Pushuesit në Gjirin e Lalëzit janë përballur me një ngjarje të pazakontë këto ditë. Një delfin iu afrua bregut të detit, pasi ishte shtatzënë dhe kërkonte një vend për të lindur. Të shumtë kanë qenë njerëzit që janë ndodhur aty pranë dhe janë afruar për ta filmuar dhe për ta parë nga afër këtë ngjarje të pazakontë.

Ashtu siç bën me dije Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, sapo pushuesit bënë me dije këtë ngjarje, ekspertët kanë vrapuar për t`i ardhur në ndihmë delfinit. Fatkeqësisht delfini i vogël lindi i ngordhur dhe siç konfirmojnë ekspertët, ai kishte ngordhur që në bark.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në një deklaratë në Facebook ka bërë me dije ngjarjen duke u kërkuar qytetarëve që në raste të tilla të lajmërohen autoritetet përkatëse.

"Një delfin vizitoi ujërat e detit Adriatik në Gjirin e Lalëzit këto dy ditë. Kjo jo rastësisht, delfini ishte shtatzënë dhe donte të gjente një vend për të lindur. AKZM dhe ADZM, Durrës, sapo u lajmëruan nga pushuesit për ngjarjen u vunë në kontakt me ekspertët, të cilët erdhën në ndihmë.

Delfini nën mbikëqyrjen e veterinerëve ekspertë kreu një lindje të parakohshme, pasi foshnja kishte ngordhur në bark. Ekspertët tanë u konsultuan edhe me homologët e tyre në Greqi duke arritur në këtë përfundim të njëjtë.

Pas lindjes delfini mama u largua e qetë në thellësi pa u kthyer më. Nisur nga kjo ngjarje u kërkojmë qytetarëve që në raste të tilla të lajmërojnë menjëherë institucionet përkatëse dhe jo të tentojnë vetë të gjejnë zgjidhje, pasi në këto raste kërkohet ekspertiza e duhur. Kafshët e egra nuk janë një lojë për fëmijët dhe as për të rriturit. Shpesh, ato u afrohen vendeve të banuara dhe njerëzve për ndihmë," -shkruan AKZM.