Transmetuar më 21-06-2019, 18:39

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ka informata “joformale” se samiti i Parisit, i paraparë të mbahej më 1 korrik, është shtyrë për një datë tjetër. I pyetur për arsyet e shtyrjes së kësaj ngjarjeje, kryeministri Haradinaj tha se nuk i di ato.

“Arsyet pse është shtyrë samiti i Parisit nuk i di, mund t’i japin të gjithë të tjerët. Mund t’ju siguroj një gjë: Kosova është palë serioze, Kosova e di çfarë do dhe vazhdon në rrugën e vet”, tha Hardinaj në një konferencë për media.

Megjithatë, kur u pyet nëse është informuar zyrtarisht për shtyrjen e samitit, Haradinaj tha se nuk ka marrë ndonjë shkresë formale, por se ka informata që ngjarja e paralajmëruar nuk do të mbahet më 1 korrik.

“Kemi informata, por jo formale me shkresa që do të shtyhet. Më 2 korrik, Bashkimi Evropian zgjedh presidentin, andaj e kanë të vështirë të jenë në Paris dhe në përgatitjet e kësaj ngjarjeje. Menjëherë më 5 korrik është samiti i Poznanit në Poloni, ku do të jemi. Pra, është shumë vështirë të mbahen tri ngjarje në këtë dinamikë, (por) ka edhe arsye tjera”, tha Haradinaj.

Të premten, kabineti i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, konfirmoi për Rel se takimi midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar të mbahet në Paris më 1 korrik, nuk do të mbahet.