Transmetuar më 20-06-2019, 23:54

Ministri i Inovacionit dhe Sipërmarrjes në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj, dha dorëheqjen nga posti, lëvizje kjo që pasoi vendimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, pjesë e së cilës është edhe Beqaj, për të liruar postet në institucionet e vendit nga të gjithë zyrtarët me akt-akuza të ngritura për korrupsion.

Beqaj, që është zyrtar i lartë në Partinë Demokratike të Kosovës, së bashku me Zëvendës Ministrin e Mbrojtjes, Agim Çeku, dhe Këshilltarin e Kadri Veselit, Njazi Kryeziu, janë pjesë e një procesi gjyqësor në një rast përgjimesh, që u bë i njohur si rasti “Pronto” për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë bisedave të përgjuara.

Në një konferencë për shtyp, tashmë, Ish-Ministri tha se ka vendosur të respektojë vendimin e partisë, por i hodhi poshtë të gjitha akuzat kundër tij.  “Sot në mëngjes kam paraqitur dorëheqjen time tek Kryeministri i Qeverisë.

Fillimisht dëshiroj të reflektoj shkurtimisht në lidhje me Vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Konsideroj që ky është angazhim i përbashkët i të gjithë strukturave udhëheqëse të PDK-së, pjesë e së cilës jam edhe vetë, që të eliminohen paragjykimet dhe akuzat me pretendime, në lidhje me proceset gjyqësore të zyrtarëve të PDK-së.

Në rastin tim, unë jam plotësisht i bindur se këto akuza janë të pa bazuara në fakte dhe argumente ligjore, si edhe që drejtësia do ta vërtetojë këtë. Është parimi bazë i drejtësisë që çdo kush është i pafajshëm derisa të provohet e kundërta, e ftoj secilin që ta respektojë këtë parim. Unë besoj që drejtësia do ta vërtetojë pafajësinë time, duke u bazuar në prova dhe fakte të argumentuara”, – tha Beqaj.

Ministri është i bindur se ky proces së shpejti do të marrë një epilog dhe për secilën akuzë do të faktohet së nuk ka bërë asnjë shkelje të ligjit. “Ju siguroj të gjithëve, që kjo sfidë do të kalohet shumë shpejtë dhe do të dalë e vërteta e pakontestueshme. I bindur që ky proces së shpejti do të marrë një epilog dhe për secilën akuzë do të faktohet së unë nuk kam bërë asnjë shkelje të ligjit”, – deklaroi Beqaj.

Ndërsa, theksoi se do të vazhdojë të jetë pjesë e PDK-së, edhe pas kësaj dorëheqjeje, sepse siç tha ai është një nga ata që ka kontribuuar në dhe për PDK. “Në vizionin e Partisë Demokratike janë marrë disa vendime, të cilat unë besoj se do të jetësohen deri në fund. Unë do të vazhdoj të jem pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, sepse jam edhe vetë një nga njerëzit që kam kontribuuar gjatë, në Partinë Demokratike të Kosovës”, – theksoi ai.

Vendimi i Partisë Demokratike për të larguar zyrtarët e saj me akt-akuza, është mirëpritur nga shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila shkroi në rrjetet sociale se pret që “ky standard të zbatohet në të gjithë spektrin politik dhe nga të gjitha partitë në Kosovë”.