Zjarr në KZAZ në Shkodër, pesë të arrestuar, dy policë bashkiakë
Transmetuar më 19-06-2019, 08:57

Pesë persona janë vënë në prangat e policisë pasi mbrëmjen e kësaj të marte, mbështetës të Partisë Demokratike u përplasën me policinë, në përpjekje për të marrë materialet zgjedhore ku iu vu zjarri edhe një klase.

Policia bën me dije se punonjës të bashkisë së qytetit dhe mbështetës të Partisë Demokratike sulmuan ambientet e shkollës “Shejnza Juka”, e cila shërben si KZAZ në kryeqendrën e veriut, ku dhe i vunë zjarrin ambienteve të një klase.

Kështu në orët e para të mëngjesit të sotëm është bërë arrestimi i Adi Garuci, Aleks Ndoj, dy policëve bashkiakë Alfred Nikolli, Gentjan Bytyçi, si dhe Orlando Thepit.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, për sqarimin e rolit të tyre.

Deklarata e policisë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, datë 18.06.2019, ku disa shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin  kanë kryer veprime aktive, për të djegur me zjarr shkollën “Shejnaze Juka" në lagjen “Kongresi i Përmetit” Shkodër dhe materialet zgjedhore që ndodheshin në ambientet e kësaj shkolle, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas veprimeve hetimore, identifikimit të personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia, bënë arrestimin në flagrancë të 5 personave, konkretisht:

G.B., 29 vjeç, banues në lagjen “Ajasëm”, Shkodër

A.N., 41 vjeç, banues ne lagjen “Guerrile”, Shkodër, punonjës i Policisë së Bashkisë Shkodër

A.G., 50 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër

A.N., 39 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër

O.Th., 17 vjeç, banues në Shkodër

Janë shpallur në kërkim policor 14 shtetas dhe janë proceduar 2 të tjerë të cilët ndiqen në gjendje të lirë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të Policisë së Rendit publik”.

/a.y/noa.al

Tensionohet situata parazgjedhore, zjarr në shkollën në Shkodër! Përplasen palët

Loading...
loading...
Loading...