Transmetuar më 19-06-2019, 00:48

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kërcënoi me dëbimin e miliona njerëzve që jetojnë ilegalisht në SHBA.

Në një seri postimesh në Twitter, Trump tha se zyrtarët e migracionit do të nisin, javën e ardhshme, procesin për “largimin e miliona të huajve të paligjshëm, që kanë gjetur rrugën për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”.

Procesi konsiston në një operacion kontrollesh në rrugë, biznese dhe banesa për të identifikuar emigrantët e paligjshëm duke u sjellë në mend shqiptarëve operacionet famëkeqe greke, "Fshesa" që rëndom qeveria e Greqisë bënte kur vendin e drejtonte Nea Dimokratia.

“Ata do të dëbohen sa më shpejt”, tha Trump.

Mes emigrantëve pa dokumente qëndrimi të rregullt dhe atyre me proces përgatitjeje të letrave janë edhe disa mijëra emigrantë shqiptarë.

SHBA-ja përballet me një fluks të madh emigrantësh më së fundi dhe nga Guatemala, Salvadori, Nikaragua dhe shtete të tjera më të varfra të Amerikës Qendrore.

Numri i tyre thuhet se i ka tejkaluar kapacitetet e autoriteteve amerikane për ti akomoduar dhe përpunuar të dhënat.

Migrimi ka qenë temë qendrore e fushatës së Trumpit në vitin 2016.

Trump pritet të shpallë kandidaturën për rizgjedhje në vitin 2020 dhe migrimi pritet të dominojë sërish fushatën.