Transmetuar më 18-06-2019, 21:31

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar lidhur me situatën e rëndë në Shkodër, ku mbështetës të PD-së u përplasën me policinë, në përpjekje për të marrë materialet zgjedhore.

“Përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD për të djegur një shkollë në Shkodër. Ftoj qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës”, shkroi ministri Lleshaj në Tuiter.

Ai ka një apel edhe për drejtuesit e bashkive, ndërsa për dhunuesit thotë se nuk do t’i shpëtojnë ligjit.

“Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve”, vijon Lleshaj.

Mbrëmjen e sotme u shënua një përplasje në Shkodër, ku mbështetësit e PD-së dhe administrate e Bashkisë së Shkodrës shkoi në një shkollë për të marrë materialet zgjedhore të 30 qershorit. /k.k/noa.al/