Transmetuar më 18-06-2019, 13:46

Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar sot masën e sigurisë arrest me burg për Hasan Kanaçin. Ai ka qëndruar i heshtur para gjykatës, ndërsa në momentin që gjyqtari i komunikoi masën e sigurisë, Kanaçi reagoi duke thënë ‘Nuk kam lidhje me ngjarjen’.

Hasan Kanaçi, i cili mbante detyrën e agjentit të cargos (zona ku përpunohen mallrat dhe lekët e bankave), në aeroportin Nënë Tereza u arrestua të premten në mbrëmje, ndërsa akuzohet se ndihmoi autorët e grabitjes nga brenda në datë 9 prill.

Në banesën e tij janë gjetur shuma parash, të dyshuara nga grabitja në Rinas.

Prokurorët e kësaj dosjeje prej katër ditësh janë duke marrë në pyetje pjesëtarë të stafit në aeroport dhe kompanisë së sigurisë në aeroport (ICTS). Nga ky hetim është zbuluar edhe përfshirja e personave të tjerë të cilët tashmë janë shpallur në kërkim.

Në grabitjen e ndodhur në Rinas në datën 9 prill u morën miliona euro në vetëm pak minuta, teksa grabitësit u futën në pistë me një fugon të modifikuar ‘hetimi tatimor’.

Pas largimit të grabitësve gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë u vra Admir Murataj i cili dyshohet se ishte edhe organizatori i kësaj vjedhje spektakolare./b.l/noa.al/