Transmetuar më 18-06-2019, 12:55

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, nuk rresht shigjetimet ndaj Presidentit Ilir Meta, pas vendimit të këtij të fundit për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Gjatë një vizite që pati në një kompani në Përrenjas, ai tha se në 30 vite, nuk di që Shqipëria t’i ketë ndonjë borxh Ilir Metës, por edhe liderëve të opozitës.

“Unë di që Ilir Meta i ka borxhe Shqipërisë. Në këto 30 vite Ilir Meta i ka provuar të gjitha nga Shqipëria, ka qenë dy herë Kryeministër, dy herë zv.kryeministër, dy herë ministër i jashtëm, kryetar parlamenti, President i republikës. Po ashtu, nuk di çfarë borxhi i ka Shqipëria Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe bashkëshortes së Ilir Metës. Por këta të katërt i kanë hyrë në borxh Shqipërisë dhe prandaj Shqipëria në 30 Qershor do t’u japë një mesazh shumë të qartë”, u shpreh Balla.

Ai tha se vota e 30 qershorit është një votë për të vijuar, për të krijuar sa më shumë vende pune për qytetarët e këtij vendi që e shohin të ardhmen tek puna dhe jo tek dhuna. /a.y/noa.al