Transmetuar më 18-06-2019, 12:06
Klajda Gjosha

Publikimet e reja të audiopërgjimeve nga “Bild”, kanë nxitur reagime të shumta.

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha shtron pyetjen se çfarë duhet të presim më për të shkundur nga themelet këtë qeveri?

Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, shpreht se ”vetëm qytetarët mund t’i bëjnë ballë kësaj çmendurie kombëtare”, dhe shprehet “unë besoj fort te vlerat e këtij populli, që sado mundohen ta mbajnë kokë ulur nga varfëria, nuk mund të pranoj kurrë nënshtrimin dhe shkeljen e dinjitetit”.

“Përgjimet e BILD tregojnë përfundimisht kriminalizimin e qeverisë dhe kapitullimin e shtetit të së drejtës! Sot më shumë se kurrë nuk ka më dyshime se djegia e mandatave ishte një vendim ekstrem por në thelb i drejtë dhe i vetmi opsion për të sensibilizuar qytetarët mbi një çështje që prek të drejtën e tyre themelore, votën e lirë, të drejtën për të zgjedhur!

Çfarë duhet të presim më shumë për t’u zgjuar si komb dhe për të nisur një debat kombëtar mbi ndryshimin e sistemit dhe të mënyrës se si duhet të sillet politika? Cfarë duhet të presim më shumë për të shkundur nga themelet këtë drejtësi që mban peng të vërtetën? Cfarë duhet të presim më shumë për t’i kërkuar Kryeministrit të mbaj përgjegjësi politike dhe ligjore për këtë degradim të qeverisjes?”, shkruan Gjosha.

Ajo shprehet më tej se kemi arritur në pikën që kryeministri kërcënon gazetarët për fjalën e lirë dhe ku drejtësia përdoret si kamzhik për qytetarët dhe opozitën.

“Çfarë duhet të presim më shumë për të parandaluar një diktaturë të egër që po vendoset në vend? Kemi arritur në pikën që Kryeminsitri kërcënon gazetarët për fjalën e lirë, ku drejtësia përdoret si kamzhik për qytetarët dhe opozitën, ku kryeprokurorja sëmuret me urdhër politik për të mos raportuar mbi realitetin e krimit dhe të dosjeve të mbajtura peng, ku parlamenti monist, ilegjitim kërkon të shkarkoj Presidentin e Republikës pse kërkon të rikthej dialogun në vend! Vetëm qytetarët mund t’i bëjnë ballë kësaj çmendurie kombëtare, dhe unë besoj fort te vlerat e këtij populli, që sado mundohen ta mbajnë kokë ulur nga varfëria, nuk mund të pranoj kurrë nënshtrimin dhe shkeljen e dinjitetit”, shkruan ajo./a.k/noa.al/