Transmetuar më 17-06-2019, 23:33

Gazetari gjerman tashmë shumë i njohur edhe për shqiptarët Peter Tiede, pikërisht për shkak të publikimit të dhjetëra përgjimeve ka folur sonte në “A show” në News24.

Në një lidhje ‘skype’ Tiede tha ‘live’ se puna e tij nuk ka të bëjë me opozitën ashtu siç është akuzuar nga kryeministri shqiptar por se është çështje gazetarie, detyrë e tij.

“Nuk ka të bëjë me opozitën. Është çështje gazetarie. Kjo është detyra ime”, tha Tiede nga Gjermania. Ai paralajmëroi publikime të tjera për Shqipërinë. “Kam shumë gjëra sigurisht. Po do publikoj diçka tjetër për bosat e bandave kriminale që blejnë vota për PS-në”, tha ndër të tjera gazetari i “Bild”.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të padisë në gjykatë gazetarin gjerman Peter Tiede që ka publikuar në gazetën “Bild” audio-përgjimet e dosjes “184” . Në një postim në rrjetet sociale, Rama bën me dije se padinë ndaj Peter Tiede do ta depozitojë në gjykatat gjermane.

“Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar, ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacënueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar”, thotë Kryeministri Edi Rama.

Nuk ka vonuar dhe reagimi i gazetarit Peter Tiede, në lidhje me këtë reagim, duke i kthyer përgjigje në shënimin e kryeministrit në Twitter.

“Z. Kryeministër, ju doni të më padisni? Për shkak se fyeva madhërinë tuaj, apo çfarë? Përgjimet janë reale. Apo dyshoni për materialin e prokurorëve tuaj? Në Shqipëri, ju nuk mund të më padisni: cila gjykatë funksionon? I kënaqur që e konfirmuat”.