Përveç kryeministrit i cili i është shumë falenderues për performancën e tij, përgjimet zbulojnë se Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme është shumë afër dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të PS-së përfshi dhe Vangjush Dakon, kryebashkiakun e Durrësit, Taulant Ballën kreun e grupit parlamentar dhe Damian Gjiknurin ministrin e Energjetikës si dhe sekretarin për zgjedhjet në Partinë Socialiste, Artan Gaci i cili është bashkëshorti i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Përgjimet zbulojnë një tjetër fakt të rëndësishëm, Ministri Damian Gjiknuri ka vënë në dispozicion të drejtorit Keshi një grup të njohur kriminelësh, ‘djem problematikë" siç i quan ai të përdoren nëse e kërkon situata.
Ministri Damian Gjiknuri është në bisedë me Arben Keshin, drejtorin e qendrës për të huajt ilegalë në ministrinë e Brendshme në Shqipëri.
Ministri Energjisë i konfirmon drejtorit se i ka dërguar një minibus me disa ‘djem problematikë" (persona me rekorde kriminale, për ta shoqëruar atë dhe t’i ketë ata në rast se i duhen.
Përgjimet
Damian Gjiknuri: Ça bëhet?
Arben Keshi: Asgjë
Damian Gjiknuri: Ndonjë shqetësim?
Arben Keshi: Po duhet të vijnë tani këto deputetët se kanë ardhur këto të PD
Damian Gjiknuri: Po do vijnë. Tani do vijnë se si duket fjetën i çik se kanë qenë gjithë natën aty. Tani do vijnë.
Arben Keshi: Nuk kam fjetur fare
Damian Gjiknuri: E di, e di. Ja tani do vijnë.
Arben Keshi: Që të vijnë të dalin nëpër qendrat
Damian Gjiknuri: Patjetër.
Arben Keshi: Se edhe vëzhguesit e atyre janë nga rrethet, askush nuk i njeh
Damian Gjiknuri: E di, e di. Ashtu i kanë sjellë ata se nuk kanë besim tek ata të vetët. Unë do të çoj disa çuna ti kesh aty, një furgon të jetë aty."
Arben Keshi: Mirë
Damian Gjiknuri: Po i nis disa që të jenë aty, do vijnë tek shtabi jot. Të jenë për çdo rast. Të mos dalin sepse janë nga ata tipat problematikë por gjithsesi të jenë aty për çdo rast.
Arben Keshi: Mirë.
Publikimi i përgjimeve vjen një ditë para mbledhjes së krerëve të shteteve të Bashkimit Europian, që pikërisht në 18 Qershor do të vendoset për zgjerimin e unionit, që përfshin edhe fatin e Shqipërisë në lidhje me negociatat.