Transmetuar më 17-06-2019, 14:49

Burg përjetë është vendimi i dhënë nga Gjykata e Matit, për 51-vjeçarin Kujtim Koxha, i akuzuar për vrasjen e trefishtë të ndodhur në 11 tetor 2018 në Mat.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit, duke e lënë të dyshuarin për vrasjen e trefishtë përjetë pas hekurave.

Në vijim të hetimeve Koxha ka pranuar fajësinë. Sakaq gjatë marrjes në pyetje ai është shprehur e kishte kryer krimin për të vendosur dinjitetin e tij para banorëve të tjerë, për shkak të një shpulle nga punonjësit e bashkisë në mes të fshatit.

Krimi ndodhi mesditën e 11 tetorit që lamë pas, në fshatin Shëlli të Matit, dhe gjithçka duket se ka nisur për një shpullë.

Punonjësit e bashkisë së Matit, ishin duke punuar për shtrimin e rrugës së fshatit, kur Kujtim Koxha, u konfliktua me ta. Rezulton se gjithçka nisi rreth orës 12.30, kur Koxha ishte në lokalin e fshatit dhe aty shkuan punonjësit e bashkisë për të ngrënë drekë.

Në një moment ai u drejtua drejt tyre dhe më konkretisht drejt Erzen Aliaj, duke i kërkuar llogari se pse nuk e shtronin rrugën deri afër shtëpisë së tij, por shtronin vetëm një pjesë.

Pas debateve ku Koxha pretendon se e qëlluan me shpullë, ai shkoi në banesë, ku mori një automatik, dhe shkrepi armën me breshëri, drejt punonjësve të bashkisë.

Më tej ai u fsheh në pyllin e fshatit Burgajet, ku pas afro një ore u vu në prangat e policisë, ku 40 efektivë zbritën në terren.

Nga të shtënat gjeti vdekjen e menjëhershme 36-vjeçari Mentor Hoxha, shofer fadrome me banim në fshatin Burgajet, dhe u plagosën rëndë punonjësi tjetër Erzen Aliaj 49 vjeç, banues në Burrel dhe Hamit Buçi 43 vjeç shofer kamioni, banor i fshatit Shëlli, të cilët gjetën vdekjen pak më vonë në spital.

Sakaq i plagosur rëndë mbeti edhe 40-vjeçari Astrit Hani, banor i fshatit Burgajet. /a.y/noa.al