Transmetuar më 17-06-2019, 11:11

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla bëri zyrtare paraditen e sotme nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Kjo kërkesë e socialistëve vjen pasi kreu i shtetit anuloi dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit.

Por kush janë 55 deputetët që kanë firmosur për largimin e Ilir Metës? Mes tyre bien në sy Taulant Ballën, Sadi Vorpsi, Antoneta Dhima, Eduart Shalsi, Eglantina Gjermeni, Spartak Braho, Elona Gjebrea, Elisa Spiropali, Bashkim Fino, Ilir Beqaj, Xhemal Qefalia dhe Niko Peleshi.

Ndërkohë në fotogaleri, mund të shihni listën e plotë të deputetëve firmëtarë.

Balla tha në konferencën e sotme për mediat se kreu i shtetit ka marrë tagrin e autoritetit sovran të Kuvendit dhe se ka detyrë që të caktojë datën dhe jo ta anulojë.

Ai deklaroi se PS depozitoi në Parlament 55 firma për shkarkimin, nga 35 që ishin të nevojshme.

Po ashtu shtoi se mandati i të qeverisurve vendorë është katërvjeçar me dekretin e Presidenti dhe shtoi se Meta i ka njohur vetes atributet e ligjvënësit.

“Para se kërkesa t’i shkojë për shkarkim Kuvendit, do të shqyrtohet nga Komisioni i posaçëm Hetimor. Më tej nëse merr më shumë se 2/3 e votave të deputetëve në Parlament, shkon për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka përgjegjësinë për shkarkimin e kreut të shtetit. Ndërkohë për sa kohë është ende President, e ftoj Ilir Metën të mos na turpërojë të gjithëve sa herë i jepet mundësia të hapë gojën”, deklaroi Balla. /a.y/noa.al

Shkarkimi i Metës, PS dorëzon kërkesën në Kuvend: Ka dalë nga kompetencat