Transmetuar më 17-06-2019, 09:57

Partia Socialiste ka dorëzuar zyrtarisht sot në Kuvend, kërkesën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, pas anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se Presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencave të dhëna nga Kushtetuta ka nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të qeverisjes vendore.

“Anulimi i datës 30 qershor dhe mos caktimi i një date tjetër mohon të drejtën e sovranit për të qenë i tillë. Kjo është një hap që zhbën autoritetin sovran. Nëpërmjet këtij akti të Presidentit është shënuar dalja përtej kompetencave. Sovrani ka përcaktuar se kur do të mbahen zgjedhjet. Po sillet në pozitën e një pushteti absolut që vepron përtej kompetencave të tij”, u shpreh Balla.

Sipas tij, kreu i shtetit ka marrë tagrin e autoritetit sovran të Kuvendit dhe se ka detyrë që të caktojë datën dhe jo ta anulojë.

Balla deklaroi se PS depozitoi në Parlament 55 firma për shkarkimin, nga 35 që ishin të nevojshme.

Ai shtoi se mandati i të qeverisurve vendorë është katërvjeçar me dekretin e Presidenti dhe shtoi se Meta i ka njohur vetes atributet e ligjvënësit.

“Para se kërkesa t’i shkojë për shkarkim Kuvendit, do të shqyrtohet nga Komisioni i posaçëm Hetimor. Më tej nëse merr më shumë se 2/3 e votave të deputetëve në Parlament, shkon për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka përjegjësinë për shkarkimin e kreut të shtetit. Ndërkohë për sa kohë është ende President, e ftoj Ilir Metën të mos na turpërojë të gjithëve sa herë i jepet mundësia të hapë gojën”, deklaroi Balla. /a.y/noa.al