Transmetuar më 16-06-2019, 13:09

Kryeministri Edi Rama nga Maliqi ku ndodhej për fushatë, deklaroi para qytetarëve se opozita po tenton të marrë peng zgjedhjet për shkak se nuk duan që vendi të hapë negociatat me BE. Sipas tij, kur Shqipëria do ulet për bisedime, BE nuk do dojë thjesht procesin e vettingut, por provat që drejtësia funksionon, pa kursyer “presidentë, e kryeministra” siç tha ai.

“Në 30 qershor nuk vendoset thjesht kush do i drejtojë bashkitë në 4 vitet e ardhme, por cila do të jetë Shqipëria e 30 viteve të ardhshme. Ata kanë vendosur të marrin peng zgjedhjet për të marrë peng Shqipërinë. Ata e dinë shumë mirë po u çelën negociatat, bisedimet fillojnë me dy kapitujt e drejtësisë. BE s’do kërkojë më përputhje kushtetuese, se në letër i kemi të gjitha, nuk do shohë rezultatet e vettingut por do kërkojë prova që sistemi i drejtësisë funksionon, që në Shqipëri ka një drejtësi ku askush nuk mund të shpëtojë në rast se do të përballet me ligjin.

Prova që sistemi ynë nuk ka të gjatë e të shkurtër, të shëndoshë e të dobët, po ka qytetarë që para ligjit janë të barabartë, mund të ndëshkohen, presidentë, kryeministra, ish-deputete e ministra. Në këto kushte e kuptoni shumë mirë pse Berisha, Meta, Kryemadhi e Basha janë vendosmërisht kundër në kundërshtim me interesin e këtij vendi, duan të marrin peng zgjedhjet për të marrë peng Shqipërinë”, tha Rama.

Sipas tij, zgjedhjet do bëhen sipas Kushtetutës. Janë politikanët sipas tij që duhet të shkojnë tek popullit për tu zgjedhur dhe jo populli t’i shkojë pas tekave të tyre. Duke ironizuar dekretin e Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve, kryeministri u kthye të flasë sërish për atë që e quan “filxhan”, ndërsa siguroi shqiptarët se nuk duhet të kenë frikë nga asnjë përplasje më 30 qershor.

“Ata bëjnë çdo përpjekje që të fusin frikën, sëkëlldinë, pasigurinë në çdo familje sikur këtu po vjen lufta e do përsëritet ’97, se nuk kanë rrugë tjetër veçse të shpresojnë se populli do tërhiqet nga zgjedhjet e 30 qershorit. Çfarë 97 do bëhet këtu? Kush do e bëjë, cingijet e koncertit të vitit ‘36 që i drejton sipas zonave nga një pallavesh që ka lënë mandatin e ka marrë molotovin? Këta do i drejtojnë revoltat? Ku është populli që do mbrojë Saliun, Ilirin, Lulzimin e Monën?

Këto janë fantazira, njerëz që i besojnë më shumë filxhanit se sa Kushtetuës, që nga Ilir Meta që del në mes të zgjedhjeve dhe i anullon si të anullojë Gëzimi këtu në Korçë ndonjë ndeshje të Skëndërbeut se ka informacione nga agjenci të rëdnësishme ligjzbatuese se do ketë konflikt. Informacione shumë të rëdësishme dmth nga filxhani. I ka thënë fallxhorja të del një gjarpër në formë 8 që është 8 qershori, dita e protestës do hajë ndonjë kokë ky gjerpër dil e shpëto vendin. Del ky e thotë shpëtova popullin nga gjakderdhja. S’ka asnjë gjakderdhje vetëm llumderdhje. Asnjë merak mos kini nga konfliktet”,vijoi Rama.