Transmetuar më 15-06-2019, 21:51

Kryeministri Edi Rama nga Korça pasditen e kësaj të shtune ka ritheksuar vendimin se zgjedhjet në 30 qershor nuk do të shtyhen dhe opozita jo parlamentare nuk do të tolerohet më.

Në fjalën e tij para simpatoizanteve socialiste shefi i qeverisë ka risjellë edhe njëherë në vëmendje marrëveshjen politike me Lulzim Bashën në 17 maj 2017, kur opozita nga çadra hyri në zgjedhjet që u shtynë me një javë nga presidenti i atëhershëm, Bujar Nishani.

Shefi i mazhorancës tha se ishte ai që i kërkoi Bashës të futet në zgjedhje dhe se nuk pati asnjë presion.

”Ndërkohë që qeveria ka shumë punë për të bërë, dhe nuk është ndonjë kohë e favorshme me temperatura të larta për fushatë, do ishte gjëja më e thjeshtë. Por arsyetimi im është po kaq i thjeshtë. Duke kujtuar se evitonim një të keqe, ne do bënim të keqen më të madhe të mundshme për njerëzit dhe vendin. Duke i ikur një momenti të vështirë sot do ta shtrinim të keqen për vite të tëra nesër, sepse nuk është hera e parë që ndodh, është një film që e kemi parë dy vjet më parë. Kur në parlament duhej votuar vettingu ikën. Isha unë Romeo i asaj kohe që ju luta Xhuljetës siç nuk do kisha pasur dot fuqi t’i lutesha gjithë vajzave të bukura të Korçës në gjithë jetën time dhe në fund fare e binda Xhulin, hajde kërko çfarë të duash. Mori gjysmën e qeverisë, gjysmën më me peshë. Më tha çfarë do ti? Unë i thash të votoni vettingun, kush fiton qeveris dhe nuk shahet më në gjuhë të huaj Shqipëria. Kaq ishin kërkesat e mia”, tha Rama.

Ndër të tjera nga Korça kryeministri Rama ka theksuar se pas 30 qershorit askush nuk do të guxojë ta përdorën pushtetin për hesape personale, pasi shteti qendron mbi çdo politikan.

“Me 30 qershor do të vendoset një kufi shumë i qartë dhe përfundimtar për ata që i kanë dhënë të drejtën vetes gjithë jetën që të jenë mbi ligjin, që kanë menduar se Shqipëria është një shesh për përsheshet e tyre. Për ata që gjithë jetën kanë dhënë shembullin më të keq për qytetarët, duke folur gjithë ditën për ligjin dhe duke e shkelur ligjin sa herë ka ardhur dita për hesapet e tyre personale. Ky vend nuk është bërë shtet sepse disa shqiptarë me pushtet, e kanë përdorur pushtetin për ta shkelur me këmbë shtetin. 30 qershori është dita që populli t’i thotë politikanëve se kushtetuta, ligji dhe shteti janë mbi çdo politikan, parti, pazar e kompromis mes partive. Korçën dhe Shqipërinë o e bëjmë ne o nuk e bën dot askush tjetër”, tha kryeministri në Korçë.