Presidenti i Grupit Balfin, Samir Mane intervistë për prestigjiozen gjermane Die Welt: Krenar që u kemi ndryshuar stilin e jetesës shqiptarëve!
Transmetuar më 15-06-2019, 18:59

Gazeta prestigjoze gjermane Die Welt, i ka kushtuar një suplement të gjerë Shqipërisë në një nga numrat e saj të javëve të kaluara. Në këtë botim, u përcoll gjithashtu një intervistë e dhënë nga presidenti i Grupit Balfin, Z. Samir Mane, të cilin gazetarët e të përditshmes gjermane erdhën posaçërisht për ta takuar në Tiranë.

Për më tepër, po riprodhojmë shkrimin i plotë të publikuar në Die Welt.

Historia e Balfin fillon më 1993, kur e nisi si një kompani e tregtimit të pajisjeve elektronike, duke krijuar kështu rrjetin më të madh të dyqaneve të elektro-shtëpiakeve në Shqipëri. Që nga aty, kompania ndërmori zhvillimin e pronave të patundshme, duke ndërtuar qendrën e parë tregtare moderne në Shqipëri në vitin 2005. Ndërkohë, Balfin hyri edhe më thellë në tregun e retail, duke sjellë rrjetin e parë shqiptar të supermarketeve dhe duke sjellë marka të njohura botërore të veshjeve në vend për herë të parë. Teksa grupi rritej dhe konsolidohej në tregjet ku është i specializuar, ai u diversifikua edhe më shumë në vitin 2013 kur mori plotësisht në zotërim AlbChrome, i vetmi prodhues i integruar vertikalisht në Evropë i ferrokromit me karbon të lartë, dhe më pas hyri vetëm apo në bashkëpunim me kompani të tjera edhe në sektorin energjitik, në logjistikë, bujqësi dhe në sektorin minerar të nikelit, etj. Në vitin 2018 Grupi bleu gjithashtu Tirana Bank, bankën e parë private në Shqipëri dhe ka ndërmarrë investime në sektorin e turizmit. Në këtë intervistë, Samir Mane, i cili e ka kthyer kompaninë në një prej konglomerateve më të fuqishme të rajonit, shpjegon mundësitë që ofron Ballkani Perëndimor dhe se si mund të përfshihen investitorët gjermanë.

Cilat kanë qenë disa prej zhvillimeve më të rëndësishme në kompaninë tuaj gjatë viteve të fundit?

Ne jemi kryesisht një kompani e shitjes së organizuar të mallrave me pakicë dhe pronave të patundshme, por diversifikimi ynë i fundit ka qenë i rëndësishëm. Blemë Newco Ferronikelin në 2018. Është një kompani shumë e madhe dhe dinamike dhe mbulon rreth 40 përqind të eksporteve të Kosovës, çka e bën kompaninë më të madhe eksportuese në Kosovë. Ne u përfshimë gjithashtu në sistemin bankar, duke blere Bankën e Tiranës, po vitin e kaluar. Ky është vetëm fillimi për ne në sektorin financiar, por sigurisht ne do të investojmë më shumë te Tirana Bank dhe do të ndajmë me ta ekspertizën tonë, duke përthithur gjithashtu njohuri ndërkombëtare dhe vendase.

Çfarë keni në plan për 2019-n?

Tani ne kemi në proces rritjen organike dhe po konsolidojmë të gjitha bizneset që kemi. Njëri prej tyre është një investim në pronat e patundshme në Austri. Që prej vitit 2018 Grupi Balfin ka nisur një projekt rezidencial atje, i cili është tashmë në fazën e tij të ndërtimit. Kompleksi rezidnecial ndodhet në zonën e Altmünster në Austri, një zonë e mirënjohur pranë liqenit Traunsee. Projekti parashikon dy zona banimi me ndërtesa tre-katëshe. Altmünster është një qytezë turistike që ndodhet tre kilometra në jug të Gmunden, në kufi me Gjermaninë dhe Republikën Çeke. Projekti pritet të përfundojë brenda 2019-s.

Pronat e patundshme janë me të vërtetë në fokusin tonë, dhe ne po shohim mundësinë për të investuar në vende të tjera. Por njëkohësisht me këtë, ne nuk do ta harrojmë rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi ne jemi një prej lojtarëve më të mëdhenj këtu në fusha të ndryshme. Aktualisht, një prej zhvillimeve tona më të mëdha është projekti Skopje East Gate, në të cilin ne po investojmë 350 milionë euro. Ai do të përfshijë 10 blloqe me komplekse rezidenciale, pesë blloqe pallatesh për qëllime biznesi dhe një qendre tregtare me mbi 250 dyqane.

Si do ta cilësonit strategjinë tuaj të investimeve?

Shumica e saj është e fokusuar tek rritja e mëtejshme. Në Shqipëri, fokusi ynë kryesor është të investojmë në industri të cilat i njohim – industria e metaleve, retail dhe prona të patundshme, të cilat duhet thënë se janë industritë kryesore në vend. Ne kemi gjithashtu mundësi të tjera dhe stafe të specializuara me shumë eksperiencë nga jashtë vendit. Ne kemi gjermanë, italianë, grekë dhe kanadezë që punojnë me ne, të cilët po na ndihmojnë të krijojmë dhe zbulojmë mundësi të reja edhe në Perëndim.

Ju keni 25 vjet që e drejtoni kompaninë. Si ka evoluar stili juaj menaxhues?

Ne nuk i shpikim vetë stilet menaxhuese. Ne i ndjekim nga pranë trendet në metodologjitë e menaxhimit. Ne lexojmë shumë, shohim se si konlglomeratet e mëdha drejtohen në Gjermani apo në SHBA dhe e përshtasim atë që kemi parë, në Shqipëri. Në fillim të viteve ’90, i bëja të gjitha vetë, ndërsa tani ne kemi njerëz nga anembanë botës si këshilltarë, të cilët na ndihmojnë që ta udhëheqim këtë konglomerat. Ajo që bëjmë ne është që i marrim metodologjitë më të mira të menaxhimit nga kompanitë e Perëndimit dhe i inkorpojojmë ato në Shqipëri sipas mënyrës tonë.

Më 2015 dhe 2016, rrjete ndërkombëtare si Carrefour dhe SPAR u bënë pjesë e Grupit Balfin në Shqipëri. Çfarë mundësish ekzistojnë për kompanitë gjermane që të marrin pjesë në historinë e rritjes së kompanisë në Shqipëri?

Mundësitë e investimeve janë të shumta dhe kompanitë gjermane janë si të pranishme ashtu edhe të interesuara për tregun në Shqipëri. Në përgjithësi, gjermanët janë duke investuar shumë në turizëm, i cili është një treg totalisht i virgjër me një potencial të madh. Do të thosha se për momentin, turizmi është mundësia më e madhe për investime në vend sepse është tërësisht i paeksploruar. Ne jemi në bisedime me shumë kompani gjermane, për të shqyrtuar mundësitë në turizëm, por sigurisht edhe në industri të tjera.

Cilat janë planet tuaja në industrinë e turizmit?

Ne po zhvillojmë një hotel me 5 yje tani. Sidoqoftë, infrastruktura publike është një pjesë e rëndësishme e mozaikut për të nxitur investimet në industri. Nëse infrastruktura publike përmirësohet, shumë partnerë të huaj, përfshi gjermanët, do të ndërmarrin hapat për të investuar në vend. Ne do të vijojmë të investojmë në fushën e turizmit nisur dhe nga potenciali që ofron.

Veç turizmit, cilat industri gjykoni se kanë më shumë potencial?

Ne jemi të njohur në industrinë minerare. Ne kemi AlbChrome, që është prodhuesi i dytë më i madh i ferro kromit në Evropë. Ne jemi gjithashtu një prodhues i rëndësishëm i nikelit dhe i shesim produktet tona anembanë Evropës. Një tjetër fokus i rëndësishëm për ne është të investojmë në prona të patundshme në shtete si Austria dhe Gjermania. Arsyeja kryesore sepse duam të investojmë jashtë vendit është që ta diversifikojmë portofolin gjeografikisht. Sidoqoftë, në fund të fundit fokusi ynë do të mbetet Ballkani Perëndimor. Ne duam që ta rrisim prezencën tonë në vendet ku jemi të pranishëm.  

Thuhet se investitorët gjermanë janë konservatorë. Çfarë do t’u thoshit atyre mbi risqet në Shqipëri?

Nuk ka asnjë rrezik. Është një mit. Shqipëria është me të vërtetë një vend i sigurt. Shqipëria ka 15 vite pa probleme, dhe pavarësisht perceptimit ndërkombëtar, besoj se niveli i kriminalitetit në vend është i ulët si po ta krahasosh me rajonin, ashtu edhe po ta krahasosh me të gjithë Evropën. Ideja ndërkombëtare mbi Shqipërinë është e pasaktë. Ne patëm një moment të keq gjatë viteve ’90 dhe disa njerëz i keqkuptuan rregullat e demokracisë dhe morën vendime shumë të këqija. Por shumica e njerëzve këtu dhe gjithashtu shqiptarët që jetojnë jashtë i respektojnë jashtëzakonisht shumë dhe u binden ligjeve. E vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë perceptim të pasaktë është që t’i sjellim njerëzit në vendin tonë për të parë se është një realitet krejt i ndryshëm nga ai që mund të imagjinojnë ata. 

Si dikush që e njeh mirë rajonin, çfarë do t’u thoshit lexuesve gjermanë lidhur me avantazhet konkurruese të Shqipërisë si një destinacion investimesh?

Së pari do të theksoja se Shqipëria ka mundësi të mëdha në turizëm. Jo vetëm që është një treg i paprekur dhe plot potencial, por po punohet nga te gjithë aktorët për ta zhvilluar sektorin, duke dhënë incentiva dhe mbështetje për investitorët. Së dyti, sistemi tatimor në Shqipëri është gjithashtu mjaft i favorshëm krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Vendi e ka hyrjen në BE një ndër politikat e jashtme kyçe. Si e shihni hyrjen e Shqipërisë në BE?

Anëtarësimi në BE do të ishte shumë pozitiv. Ne jemi një shtet shumë pro-evropian; rreth 95 përqind e shqiptarëve janë pro-evropianë. Por që të jem i sinqertë, nuk e di se sa e interesuar është Evropa për Shqipërinë. Do t’u thosha udhëheqësve të BE-së se nuk mund ta lënë rajonin të izoluar në këtë mënyrë. Ballkani Perëndimor është tepër i bukur, historik, evropian dhe plot talent. Jam i sigurt se avantazhet e të lejuarit të vendeve tona që të hyjnë do t’i tejkalojnë sfidat që kjo mbart.  

Përpara 25 vitesh kur ju nisët një biznes të vogël tregtie, e kishit imagjinuar ndonjëherë se do të ishte kthyer në një prej kompanive më të mëdha në Shqipëri?

Aspak. Unë isha duke shitur me sukses pajisje elektro-shtepiake por nuk mendoja se do të vinte një pikë që do të faturonim mbi 500 milionë euro xhiro, sikurse janë të ardhurat që kemi parashikuar për këtë vit. Brenda 2020-s, synimi është që ta rrisim më tej xhiron tonë.

Për çfarë ndiheni më tepër krenar në karrierën tuaj deri më tash?

Tashmë të bërit para nuk ka më edhe aq rëndësi për mua. Ne tani shijojmë atë që kemi krijuar. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne ndihmojmë njerëzit e tjerë të bëjnë para dhe mua më shijon kjo. Kur ne hapim biznese të reja në vend kjo krijon punësime dhe në këtë mënyrë ndikon në jetët e njerëzve. Por ajo për të cilën jam më tepër krenar është krijimi i një stili jetese ndryshe për shqiptarët. Duke sjellë për herë të parë risi si qendrat tregtare, pajisjet elektroshtëpiake dhe të tjera, u mundësua një tjetër stil jetesë në vend, i ngjashëm me atë që është i mundur në vendet perëndimore si Gjermania.

Loading...
Loading...