Transmetuar më 15-06-2019, 12:48

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla thotë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, si dhe shigjeton Presidentin Ilir Meta, për të cilin thotë se i ka hyrë vetja në qejf.

Gjatë një takimi elektoral në Elbasan, ai deklaroi se “Edhe pse Presidenti i Republikës u përpoq të hynte në lojë për të mbështetur sado pak të shoqen dhe shokun e të shoqes, Lulin, zgjedhjet do të bëhen sepse zgjedhjet nuk i caktojnë partitë. Partitë i thërret populli një herë në katër vjet për pushtetin vendor, një herë në katër vjet për pushtetin qendror, në provim”.

Balla komentoi edhe mundësinë që Presidenti të shpërndajë Parlamentin, duke thënë, shkodranët kanë një shprehje, ‘mos të hyftë vetja në qejf, ose të hyftë vetja në qejf se e sheh pastaj’

“Presidentit, për fat të keq i ka hy vetja në qejf dhe ka hap haberin se gjoja do të shpërndajë Parlamentin. Se çfarë Kushtetute ka Presidenti, nuk e di, por kam frikë mos ka ngatërruar Kushtetutën me bllokun e zi”, tha ai.

Ky reagim i Ballës vjen pas kërkesës së Presidentit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me numrin e deputetëve që ka aktualisht në Parlament.

Kjo pasi nga shterimi i listave të opozitës, pas kandidatëve që pranuan mandatin e deputetit, janë ende 18 vende të lira.

Ndërkohë lëvizja e kreut të shtetit, vjen pasi opozita i ka kërkuar Presidentit që të shpërndajë Parlamentin për shkak se është ilegjitim dhe se nuk i ka 140 deputetë.

Ndërkohë ditën e premta, Meta tha se Presidenti është zgjedhur nga parlamenti por “natyrisht jo nga ky, por nga një parlament legjitim”.

Gjithçka si pasojë e debatit të krijuar, për shkak se kreu i shtetit anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. /a.y/noa.al

Meta, kërkesë KQZ-së: Sa deputetë ka në Parlament