Transmetuar më 15-06-2019, 11:22
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Gjirokastrës i koduar “Befasia” ka vënë në pranga një doganier dhe tre të tjerë të akuzuar për kontrabandë mallrash.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë M.B., 31 vjeç, banues në Devoll, Xh.M., 28 vjeç, banues në Bilisht dhe Muharrem Mullai, 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier në degën doganore Kakavijë.

Arrestimi i tyre u bë pasi në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë, shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll në mjetin që drejtohej nga shtetasi M.B., dhe pasagjer shtetasi Xh.M., dhe gjetën një sasi mallrash të konsiderueshme me pije energjike dhe qumësht, për të cilat nuk kishin paguar detyrimet doganore.

Nga hetimet e kryera rezultoi se doganieri Muharrem Mullai, kundrejt një sasie parash ka lejuar që shtetasit M.B., dhe Xh.M., që të kalonin mallrat në hyrjen e Republikës së Shqipërisë pa paguar detyrimet doganore.

Mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Sakaq ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. /a.y/noa.al