Transmetuar më 15-06-2019, 09:57

Vihet në pranga një person i dyshuar si bashkëpunëtor në supergrabitjen e 9 prillit në aeroportin e Rinasit, ku mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, Admir Murataj.

Dyshohet se i arrestuari është personi i cili ka ndihmuar nga brenda aeroportit grabitësit.

Më konkretisht ai është pjesë e stafit, për pjesën cargo, ku përpunohen mallrat dhe lekët e bankave.

Prangosja e tij dyshohet se është bërë, pasi është pikërisht personi që ka njoftuar për orarin dhe lëvizjet e parave si dhe kohën se kur thasët do të futeshin në pistë, për tu ngarkuar më tej në avion.

Bëhet fjalë për një operacion të nisur pasditen e së premtes, i cili aktualisht është në vijim.

Grabitja e thasëve me para ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që u dha alarmi për grabitjen, ata hasën në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me të cilët patën dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë. Deri tani arrestuar për grabitjen gjashtë persona të dyshuar, Ragip Hajdini, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli, Saimir Çela dhe Elton Pikli. /a.y/noa.al