Transmetuar më 15-06-2019, 00:06

Protesta e ardhshme e opozitës do të jetë më dt. 21 Qershor ora 20.00. Ky është njoftimi që bëhet nga selia e PD-së, ku janë mbledhur strukturat drejtuese të kësaj force politike, dhe ku është diskutuar për aksionin opozitar.

Duke theksuar se nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, Basha e ka konsideruar krim procesin e 30 qershorit, veçanërisht në kushtet e dekretit të presidentit.

“Duhet të mbrojmë vendin dhe qytetarët, Kushtetutën. Jemi në të drejtën tonë t’i përgjigjemi me çdo çmim dhe me çdo mjet”, është shprehur Basha.

Gjatë mbledhjes, Basha ka theksuar se strukturat e partisë janë në punë të pandërprerë.

“Takime me qytetarët për t’u shpjeguar se Rama po bën ‘grusht shteti’. Është rrezik kombëtar, duhet ndalur menjëherë. Vendi rrezikon rikthimin e vizave, izolimin, regjim represiv përmes arrestimeve”, ka thënë Basha.