Transmetuar më 14-06-2019, 18:00

Pas thirrjes së bërë nga kryeministri Edi Rama, ku u kërkoi që të mos bien viktimë të katërshes politike të opoziteë por t’i përmbahen ligjit, kanë reaguar kryetarët e bashkive të djathta.

Në një reagim publik, ata i janë përgjigjur Ramës, duke u shprehur se kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria e tyre për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale.

“Zoti Kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri! Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, përsa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë. Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri!

Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale. Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne! Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në!”, thuhet në këtë deklaratë.

Më herët Kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje kryebashkiakëve demokratë të mos bien viktimë e katërshes Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

Thirrja e kryeministrit, vjen pak pasi kryebashkiakët e djathtë por edhe ata të LSI-së dërguan shkresa në KQZ ku njoftonin se do të zbatonin dekretin e Presidentit të Republikës.

“Kryebashkiakë demokratë! Mos bini viktimë e katërshes SB/IM/LB/MK duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet. Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë. Nuk ju nxorri PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre.Ligji s’ka mëdyshje”, shkruante Rama në Twitter./b.l/noa.al/