Transmetuar më 14-06-2019, 17:15

Në kushtet kur situata politike në Shqipëri është e tensionuar, OSBE/ ODIHR ka dalë me një raport paraprak për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, por që tashmë kjo datë është shfuqizuar nga Presidenti. Sipas raportit të bërë publik për periudhën 24 maj -11 qershor thuhet se mjedisi politik mbetet i polarizuar.

Në raport përshkruhet situata politike, duke theksuar se zgjedhjet janë në kushtet e një ndarjeje të thellë politike dhe se disa parti opozitare nuk marrin pjesë në zgjedhje OSBE thotë se në 31 bashki, PS garon pa kundërshtarë politikë.

"Diskursi politik është dominuar përgjithësisht nga pyetja nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore. Gjuha e përdorur nga kundërshtarët politikë në mitingje, në mediat sociale dhe në median e shkruar dhe elektronike është shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundërakuza", thuhet në raport.

Gjithashtu aty përmenden letrat publike, që kryeministri Rama i drejtoi kreut të opozitës, Lulzim Basha për të dialoguar për zgjidhjen e krizës politike.

"Përmes disa letrash publike të postuara në mediat sociale në fund të muajit maj, Kryeministri e ka ftuar Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, për dialog, duke konfirmuar në të njëjtën kohë se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor dhe duke kundërshtuar krijimin e një precedenti të ndryshimit të datës së zgjedhjeve. Reagimi i PD-së ka mbetur i pandryshuar dhe ajo vazhdon të përsërisë kërkesat e saj", thuhet ndër të tjera.

Sipas OSBE, 36 parti politike, 2 koalicione dhe 6 kandidatë të mbështetur nga zgjedhësit janë regjistruar si subjekte zgjedhore. 26 Si rrjedhojë, nga KZAZ-të dhe KQZ-ja janë regjistruar 97 kandidatë për kryetarë bashkie, duke përfshirë 11 kandidate gra, si dhe 544 lista kandidatësh të 2 koalicioneve dhe 14 partive individuale me 9,842 kandidatë gjithsej./b.l/noa.al/