Transmetuar më 14-06-2019, 16:57

Kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje kryebashkiakëve demokratë të mos bien viktimë e katërshes Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

Thirrja e kryeministrit, vjen pak pasi kryebashkiakët e djathtë por edhe ata të LSI-së dërguan shkresa në KQZ ku njoftonin se do të zbatonin dekretin e Presidentit të Republikës.

“Kryebashkiakë demokratë! Mos bini viktimë e katërshes SB/IM/LB/MK duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet. Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë.

Nuk ju nxorri PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre.Ligji s’ka mëdyshje”, shkruan Rama në Twitter.

Ndërkohë bashkitë e drejtuara nga partia demokratike i janë drejtuar përmes një shkrese Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, përmes së cilës kërkojnë zbatimin e dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kërkesa mban datën 14 qershor 2019 dhe i drejtohet Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor përkatëse. Në kërkesë kërkohet heqja e listave të zgjedhësve të afishuara në institucionet arsimore si dhe lirimin e ambienteve nga KZAZ./b.l/noa.al/